Bashkëpunimi rajonal, fuqizon bujqësinë
Prishtinë, 3 prill Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti sot në një takim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Prishtinë, Ilija Strashevski, më të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë, si dhe për programet zhvillimore të kësaj ministrie.
Me këtë rast, ministri e ka njoftuar ambasadorin më hollësisht për programet e këtij viti, me çrast ai ka treguar se kanë zgjeruar përkrahjen për shumë sektor e nënsektor të bujqësisë, me qëllim të shtimit të prodhimtarisë bujqësore dhe fuqizimit të mëtejmë të fermerëve anë e mbanë vendit.
Po ashtu, ministri shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me shtetet e rajonit, e në këtë rast edhe me Maqedoninë, me qëllim të fuqizimit të këtij sektori në të dyja shtetet.
Nga ana e tij, ambasadori Ilija Strashevski, ka uruar ministrin Krasniqi për detyrën e re dhe vlerësoi përkushtimin e tij për zhvillimin e mëtejmë të bujqësisë dhe rikonformioi edhe njëherë gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar edhe më tej në projektet që ndërlidhen me këtë sektor.
Në këtë kuadër, ministri Krasniqi dhe ambasadori vlerësuan se mbledhja e përbashkët e qeverive të dy vendeve, Kosovës dhe Maqedonisë që pritet të mbahet në të ardhmen, do të jetë një hap i rëndësishëm për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, por edhe në fusha të tjera.