Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen e bujqësisë në Kosovë
Prishtinë, 12 korrik Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, me të cilin ka biseduar për programet e ministrisë për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural në përgjithësi, si dhe për format e bashkëpunimit të mëtejmë në fushën e bujqësisë.
Ministri Krasniqi falënderoi menaxherin e BB-së në Kosovë për mbështetjen që kanë dhënë deri më tash për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë, si dhe angazhimin e tyre në shumë projekte të rëndësishme në këtë sektor.
Po ashtu, Krasniqi theksoi se MBPZHR-ja është e gatshme që të bashkëpunojë me BB-në edhe në të ardhmen për realizmin e shumë projekteve tjera, ku gjatë këtij takimi ai ka marrë mbështetjen për realizimin e projekteve konkrete për avancimin e bujqësisë në kuadër të Strategjisë së Ardhshme të BB-së për Kosovën, me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik në vend.
Nga ana tjetër, menaxheri i BB-së, Marco Mantovanelli, vlerësoi zhvillimet e deritashme në avancimin e sektorit të bujqësisë në vend dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Bankës Botërore për mbështetjen e mëtejmë të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në Kosovë përmes projekteve konkrete në kuadër të Strategjisë së për Kosovën.
Të dy u pajtuan se suksesi i deritashëm i projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, që zbatohet nga MBPZHR dhe BB, duhet të jetë bazë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, duke përfshirë edhe financimin shtesë për këtë projekt të rëndësishëm.