AZHB dhe Raiffeisen me memorandum në sektorin e bujqësisë
Prishtinë, 19 korrik - Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) dhe Banka Raiffeisen në Kosovë kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim reciprok në sektorin e bujqësisë.
Ky Memorandum Mirëkuptimi do të mundësojë bashkërendimin e aktiviteteve të ndërsjella në sektorin e bujqësisë dhe realizimin e aktiviteteve që vlerësohen të nevojshme për tu ndërmarrë.
Po ashtu, do të shkëmbehen edhe informacione që lidhen me veprimtaritë dhe shërbimet e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Bankës Raiffeisen në fushën e bujqësisë dhe kjo do të rezultojë në përkrahje edhe më të madhe financiare dhe zhvillim më të hovshëm të këtij sektori.
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, është duke punuar vazhdimisht me të gjithë partnerët për ti gjetur mënyrat më të mira që do të kontribuonin në rritjen e përkrahjes për bujqit kosovarë, si nga sektori publik, ashtu edhe nga ai privat.\"
\"Në kuadër të këtyre iniciativave hyn edhe Memorandumi i Mirëkuptimit që kemi nënshkruar me Bankën Raiffeisen dhe besojmë se një bashkëpunim i tillë do të reflektoj edhe në përshpejtimin e shqyrtimit të kërkesave dhe lehtësimin e kushteve për financimin e sektorit të bujqësisë, tha Elhami Hajdari, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Dëshirojmë ta falënderojmë Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme sa i përket sektorit të bujqësisë.\"
\"Ky Memorandum Mirëkuptimi do të jetë shumë i rëndësishëm për bankën tonë dhe do të na ndihmojë në përpjekjet tona për tju ofruar klientëve shërbimet dhe produktet e përshtatshme bankare dhe për ta rritur edhe më tutje përkrahjen tonë financiare për këtë sektor, tha Shpend Nura, Drejtor i Departamentit për Biznese të vogla dhe Bujqësi në Bankën Raiffeisen.
Që nga fillimi i punës së saj në Kosovë, Banka Raiffeisen e ka konsideruar sektorin e bujqësisë si njërin nga sektorët më të rëndësishëm në kuadër të Bankës.
Përkrahja ndaj sektorit të bujqësisë është rritur sidomos në vjetët e fundit dhe kjo është reflektuar edhe në rritjen e vazhdueshme të portfolios së kredive të bujqësisë.
Përmes rrjetit të degëve që mbulojnë gjithë Kosovën dhe punonjësve të specializuar në sektorin e bujqësisë, Banka Raiffeisen ka arritur të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm me bujqit dhe bashkarisht të vendosin për mënyrat më të përshtatshme për mbështetjen e kërkesave dhe nevojave të tyre.