AUVK të analizojë prodhimet e qumështit
Prishtinë, 30 janar - Shoqata e Qumështorëve edhe një herë bën thirrje nga organet kompetente të marrin masa për sa i përket pranisë së vajit të palmës në produktete qumështit.
Javën e kaluar ne kemi mbajtur njëkonferencë shtypi ku kemi ofruar fakte, si dhe kemi njoftuar opinionin se kemi ngritur Kallezim Penal ndaj AUVK dhe disa kompanive që po përdorin vajin e palmës në produktet e tyre, duke mos e deklaruar atë.
Ndërkohë, ka pasur akuza në drejtim të shoqatës sonë, e vetme legjitime e qumështorëve, se po manipulojmë me opinionin, si dhe akuza për manipulime financiare.
Këtyre akuzave ne u përgjigjemi drejtperdrejt se nuk kemi çka të fshehim: nëse dyshoni se po manipulojmë me fakte, atëherë le të bëhet një analizë e menjëhershme e të gjitha produkteve të qumështit, kështu që të qartësohet një herë e mirë se kush është duke e rrezikuar shëndetin e konsumatorëve dhe imazhin e prodhuesve vendorë për shkak të përfitimeve të lehta.
Ne këtë po e kërkojmë me vite nga AUVK-u, por fatkeqësisht nuk kemi parë të merret ndonjë veprim, duke lejuar dëmtimin e konsumatorit kosovar, kompanive të sinqerta të qumështit, si dhe fermerëve që po vazhdojnë të mbyllin fermat e tyre.
Prezantimi i rrejshëm në media, gjoja si përfaqësues të shoqatës së qumështorëve nga disa persona, vetëm se e dëshmon edhe më tepër se disa qarqe të caktuara me interes në vajin e palmës në këtë mënyrë dëshirojnë tëna e mbyllin gojën dhe të vazhdojnë edhe më tej me mënyrën e tyre të manipulimit dhe të dëmtimit të industrisë së qumështit.
Pikërisht për shkak të veprimeve të këtyre kompanive në një pjesë të opinionit është krijuar mendimi i gabueshëm se të gjitha produktet vendore të qumështit kanë përbërje të vajit të palmës, duke dëmtuar kështu në përgjithësi prodhuesit vendorë, andaj lusim edhe mediat që të kontribuojnë në sqarimin e situatës, duke e cekur vazhdimisht se janë vetëm një pjesë e vogël e prodhuesve vendorë të qumështit që janë duke e përdorur vajin e palmës.
Për ti ikur të gjitha këtyre komplikimeve ne edhe një herëu bëjmë thirrje organeve relevante, përfshirë këtu edhe nivelet më të larta për të ndërmarrë masa të menjëhershme të ndalimit të këtij mashtrimi që po u bëhet konsumatorëve për vite të tëra.