ASK publikon të dhënat për regjistrimin e bujqësisë
Prishtinë, 27 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot të dhënat paraprake për Regjistrimin e Bujqësisë në Kosovë, i cili është mbajtur nga 1 nëntori deri më 20 nëntor 2014.
Regjistrimi i Bujqësisë është kryer në 34 komuna të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, në katër komuna në Veri të Republikës së Kosovës (Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut) Regjistrimi nuk ka mundur të kryhet, për shkak se këto komuna refuzuan të marrin pjesë. ASK kishte bërë përgatitjet që Regjistrimi të mbahet në gjithë territorin e Republikës.
Kyreshefi Ekzekutiv i ASK-së, z. Isa Krasniqi theksoi se qëllimi i këtij regjistrimi ishte që të mblidhen statistika të detajuara për strukturën e ekonomive bujqësore në Kosovë. Sipas tij, një informacion i tillë është vendimtar për zhvillimin e politikave bujqësore në Kosovë.
Kryeshefi Krasniqi theksoi se është respektuar dhe respektohet fshehtësia e plotë e të dhënave individuale të ekonomive bujqësore, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës, Nr. 04/L-036 dhe dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Nr. 03/L-172.
Është garantuar parandalimi i qasjes së paautorizuar në Qendrën e Bazës së të Dhënave grupore dhe individuale, ku mbahet i tërë kontingjenti i të dhënave të regjistrimit. Të dhënat e mbledhura grupore dhe individuale janë anonime për palën e tretë dhe si të tilla mund të publikohen vetëm me autorizim të posaçëm për përdorimin e tyre, për qëllime që janë në harmoni me qëllimet statistikore të regjistrimit, pohoi z. Krasniqi.
Kryeshefi Krasniqi shpjegoi se regjistrimi është organizuar dhe realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe me Komisionet Komunale të Regjistrimit (KKR).
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, z. Kujtim Shala theksoi se pas më shumë se 50 viteve Republika e Kosovës po realizon Regjistrimin e Bujqësisë dhe ky projekt është një e arritur e madhe për Kosovën.
Realizimi i këtij projekti siguron të dhëna që i kanë munguar Kosovës për kohë të gjatë dhe do ti mundësojë Kosovë përgatitjen e projekteve zhvillimore sipas standardeve evropiane, ku do të identifikohen nevojat për investime zhvillimore në të ardhmen, theksoi z. Shala, ndërsa premtoi përkrahjen e institucioneve të Kosovës për projekte kapitale që do të realizojë në të ardhmen ASK.
Zëvendës shefi për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian, Libor Chlad tha se Zyra e Bashkimit Evropian ka punuar nga afër me ASK-në që nga viti 2005 për ti zgjeruar kapacitetet e saj për të mbledhur, ofruar dhe publikuar të dhëna të besueshme dhe përkushtimi ynë është prova më e mirë sa shumë kemi ndihmuar në aspektin teknik dhe në ofrimin e programeve.
Komunat në veri të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në regjistrim dhe Bashkimi Evropian do të punojë me ta që ky regjistrim të kryhet në të gjithë territorin e Kosovën theksoi z. Chlad dhe pohoi se pret që rezultatet përfundimtare të jenë të suksesshme.
Përfaqësuesi i UNOPS-it, z. Frederic Frippiat theksoi se Regjistrimi i Bujqësisë është një punë e madhe kudo në botë, dhe ka qenë një punë e madhe dhe e rëndë për tu kryer edhe në Kosovë, pasi ishin të aktivizuar mijëra punëtorë në terren dhe stafi mbështetës.
UNOPS-i si menaxhues i Fondit të Mirëbesimit të Projektit të Regjistrimit të Bujqësisë, është angazhuar për realizim sa më të suksesshëm të këtij projekti, tha z. Frippiat dhe falënderoi donatorët që kanë mundësuar realizimin e këtij projekti.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvilliit Rural, z. Memli Krasniqi theksoi se Ministria e Bujqësisë është përfituesi kryesor i rezultateve që dalin nga Regjistrimi i Bujqësisë dhe dita e sotme shënon një fazë të rëndësishme në fushën e bujqësisë.
Publikimi i rezultateve të sotme edhe pse është i pjesshëm, është punë e jashtëzakonisht profesionale që është bërë nga ASK-ja. Ajo që na bënë të ndjehemi mirë, kemi një proces që është bërë sipas parametrave ndërkombëtar, që ka një besueshmëri të madhe dhe që na mundëson që të kemi një rezultat shumë të saktë, e që do të na ndihmojë që të kemi një efikasitet shumë të madh në programin e zhvillimit të bujqësisë, tha ministri Krasniqi.
Menaxheri i Projektit të Regjistrimit të Bujqësisë, z. Bajrush Qevani theksoi se gjatë procesit të Regjistrimit të Bujqësisë, në zonat rurale regjistruesit kanë shkuar derë më derë dhe kanë vizituar të gjitha ekonomitë familjare, ndërsa në zonat urbane regjistruesit kanë vizituar vetëm njësitë bujqësore sipas listës së bazuar në Regjistrimin e Popullsisë 2011.
Të dhënat paraprake të Regjistrimit të Bujqësisë janë të prezantuara në nivel të Kosovës dhe nivel rajonal, ndërsa të dhënat më të detajuara në nivel komune do të prezantohen në rezultatet përfundimtare në muajin shtator 2015, theksoi z. Qevani.
Duke shpalosur të dhënat paraprake të dala nga Regjistrimi i Bujqësisë, z. Qevani theksoi se rezultatet e para tregojnë se ishin 129220 ekonomi bujqësore që kishin aktivitet bujqësor në vitin 2013-2014.
Sipërfaqja e përgjithshme e tokës së shfrytëzuar për prodhim bujqësor në vitin 2014 ishte 257639 hektarë. Më 1 nëntor 2014 ishin gjithsej 253234 krekë gjedhe, rajoni me numrin më të madh të gjedheve ishte Prishtina me rreth 50759 krerë. Numri i përgjithshëm i deleve në Kosovë ishte 169927, rajoni me numrin më të madh të deleve ishte 44505 krerë. Numri i përgjithshëm i dhive në Kosovë ishte 29085, rajonet me numrin më të madh të deleve ishin: Prizreni me 7223 krerë dhe Prishtina me 7077 krerë. Numri i përgjithshëm i shpezëve në Kosovë ishte 2695344, rajoni me numrin më të madh të shpezëve ishte Prishtina me rreth 593315, theksoi z. Qevani.
Ndryshe, projekti i Regjistrimit të Bujqësisë është financuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga donatorë të ndryshëm, si Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Bashkimi për Zhvillim Ambasada e Suedisë - SIDA, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar - DFID, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, Qeveria e Danimarkës dhe Ambasada e Dukës së Madh të Luksemburgut. Ky fond quhet Fondi Mirëbesimit dhe menaxhohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Mbështetjen e Projekteve (UNOPS). Kostoja totale e projektit është afro 4.7 milionë euro. Nga projekti i Regjistrimit të Popullsisë kanë mbetur 2.2 milionë euro. Pjesa tjetër rreth 2.5 milionë euro është siguruar nga Qeveria e Kosovës dhe nga donatorët. Kjo kosto përfshin periudhën 2012-2015.