Asgjësohet alkooli i falsifikuar dhe kontrabanduar
Prishtinë, 8 gusht Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës(AUV), ka njoftuar se të premten ka përfunduar aksionin dy ditor të asgjësimi të rreth 50 mijë litrave alkool i konfiskuar nga Policia dhe Doganat e Kosovës.
AUV ka bërë me dije se sasia e ndaluar dhe sekuestruar është hasur në një depo në regjionin e Prishtinës, e cila ishte sasi e alkoolit e futur ilegalisht në territorin e Kosovës. Pjesa tjetër është ndaluar sepse është prodhuar në mënyrë ilegale me tiketa false.
Për të verifikuar mbi gjendjen shëndetësore të këtyre produkteve është ftuar inspektorati fitosanitar i Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë i cili në mungesë të dokumentacionit nxori vendim për asgjësim pasi që nuk i plotëson kushte për tregtim dhe konsum, thuhet në njoftimin e AUV-it. Sipas njoftimit për media bashkëpunimi mes tri agjencive për ruajtjen e kufirit të cilat veprojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit ( MIK) është duke treguar sukses në parandalimin e tregtimit apo shitjes se gjitha mallrave që nuk iu nënshtrohen kontrollit zyrtare që kryhet në pik kalimet kufitare nga inspektoret e AUV-së.
Këto alkoole në momentin e ndalimit nuk kanë poseduar dokumente përcjellëse për origjinën e tyre , certifikatën shëndetësore, importuesin e produktit, disa nga to nuk kanë pas dekleracion të produktit, është thënë në komunikatë. Bëhet e ditur se pala ka tentuar të prodhojë lloje të ndryshme të pijeve alkalike me tiketa të falsifikuar dhe në kushte të palejuara për prodhim. Produktet si të tilla konsiderohen të dyshimta dhe nuk lejohen për futjen në treg për konsum. Alkooli si produkt i pa kontrolluar mund të jetë shumë i rrezikshëm dhe vdekjeprurës për njerëz.
Organet shtetërore për siguri publike do të veprojnë në secilin rast kur tentohet të rrezikohet shëndeti i qytetareve të vendit, është thënë në komunikatë. Asgjësimi i kësaj sasie është realizuar në depon e mbeturinave ne Mitrovicë nën mbikëqyrjen e zyrtareve të agjencive.