Ariu i parë kthehet në habitatin e saj natyral
Prishtine, 16 mars - Iniciativa e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës për eliminimin e mini-kopshteve zoologjike në të cilat mbahen llojet e rrezikuara të faunës sonë, që nga sot është jetësuar me fillimin e ndërtimit të strehimores për arinjtë e murrmë.
Sot, më 16 Mars, 2013, IKMN transportoi ariun e parë, të gjinisë femër dhe me emrin Kasandra, në strehimoren afër liqenit të Badovcit, që është ngritur me ndihmën e Fondacionit për Mbrojtjen e Kafshëve Vier Pfoten, me seli në Vienë, Austri.
Transporti është bërë nga një restoran afër Qafës së Duhlës. Në hapjen e strehimores mori pjesë Ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, Ministrja për Integrim Europian, Vlora Citaku, Komandanti i KFORit, Volker Halbauer, dhe ambasadori Austriak në Kosovë, Johann Brieger.
Deri më tani janë evidentuar 15 arinjë të murrmë që mbahen në këto mini-kopshte, kryesisht në kuadër të restoraneve. Gjatë këtij viti, të gjithë do të transportohen në strehimoren në Badovc.
Gjatë vitit të kaluar, MMPH ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Fondacionin për Mbrojtjen e Kafshëve Vier Pfoten, për mbajtjen dhe përkujdesjen e arinjëve të murrmë në strehimoren në Badovc.
Ky projekt financohet krejtësisht nga Fondacioni, dhë përfshinë ndërtimin e rrethojës me tela elektrikë dhe trajnimin e stafit për përkujdesje të arinjëve.
Praktika të tilla zbatohen në shumë shtete të botës, ku llojet e mbrojtura të arinjëve mbahen në strehimore të veçanta gjysmënatyrore dhe shërbejnë edhe për çështje komerciale.
Rasti i Kosovës është i pari në rajon që po arrin të finalizohet, edhe pse Vier Pfoten ishte përpjekur që strehimore të ngjashme të hapen edhe në Shqipëri dhe Serbi.