Aprovohet Projektligji për Pyjet
Prishtinë, 23 maj - Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, të 104-tën me radhë ka aprovuar Projektligjin për Pyjet, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore dhe tokave pyjore si resurse të ripërtëritshme me interes të përgjithshëm si dhe ka aprovuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr. 32/2012 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Integrimit Evropian.
Nisma për nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare Trepalëshe ndërmjet Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Shqipërisë për vitin 2018, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar për IPA II ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë; Nisma për negocimin e Marrëveshjes për Amendamentimin e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), për financimin e projektit “Mënjanimi i ujërave të zeza në Kosovën Jugperëndimore – FAZA V” si dhe Nisma për lidhjen e Memorandumit të Partneritetit për “Iniciativat Kombëtare të Frankofonisë”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, morën gjithashtu sot aprovimin e kabinetit qeveritar.
Një tjetër vendim i rëndësishëm i kësaj mbledhje ishte edhe shpallja e Zonës së Mbrojtur në Kategorinë e Parkut Natyror “Mali Pashtrik dhe Liqeni i Vermicës”, derisa me propozim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë u aprovua edhe Nisma për funksionalizimin dhe dhënien në shfrytëzim të Qendrës së Panaireve në Bërnicë.
Kabineti qeveritar mori vendim për riemërimin e z. Arben Gashi, Inspektor Incizues i Fluturimeve në Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Me qëllim të finalizimit në zbatim të ligjeve për Reformën e Administratës publike, Qeveria sot mori vendim për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 95,000 euro, për hartimin e akteve nënligjore dhe përgatitjet e nevojshme për zbatimin e ligjeve për Reformën e Administratës Publike.
Në fund të mbledhjes kryeministri Haradinaj ka kërkuar sqarime nga ministrat e resorëve përkatës lidhur me përshpejtimin e procedurave për hartimin e koncept dokumentit për Bjeshkët e Nemuna, dhe shqetësimet e banorëve të disa rajoneve që preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë – Hani i Elezit.