APK nënshkruan memorandum për mbrojtjen e pyjeve me policinë
Prishtinë, 4 korrik - Për këtë qëllim, Agjencioni Pyjor i Kosovës, i cili funksionon në kuadër të MBPZHR-së, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe përqendrimi i këtyre dy autoriteteve më së shumti do të jetë në mbrojtjen e pyjeve në komunën e Deçanit, ku llogaritet se dëmet janë më të theksuara se në komunat tjera të vendit.
Ky memorandum ka mundësuar vendosjen e dy pikave në këtë komunë, në të cilat do të jenë prezent për 24 orë pjesëtarët e policisë së bashku me zyrtarët për mbrojtjen e pyjeve dhe detyra kryesore e tyre do të jetë kontrollimi i masës drusore, e cila kalon nëpër ato rrugë.
Kryeshefi ekzekutiv i APK-së, Ahmet Zejnullahu, tha se qëllimi i këtij bashkëpunimi është mbrojtja e pyjeve në komunën e Deçanit, pasi gjendja në pyjet e kësaj ane nuk është aspak në nivelin e duhur.
Ky memorandum vlen vetëm për komunën e Deçanit dhe përmes kësaj forme të bashkëpunimit do të angazhohen zyrtarët policorë dhe pyjorë, të cilët do të jenë të vendosur në dy pika statike, ku do të qëndrojnë 24 orë për të kontrolluar qarkullimin e masës drunore, sepse në këtë komunë e tërë sasia e masës drunore qarkullon nëpër dy pika, tha kryeshefi Zejnullahu.
Ai tregoi se përmes këtij bashkëpunimi, këta zyrtarë do të bëjnë verifikimin e masës drusore dhe në ato dy pika më nuk do të mund të kalojë asnjë masë drusore pa u verifikuar nga zyrtarët e këtyre dy institucioneve vendore.
Në funksion të mbrojtjes, Zejnullahu theksoi se kanë angazhuar edhe një numër të madh të inspektorëve, të cilët inspektojnë nëpër secilën komunë të Kosovës.
Mirëpo, krahas mbrojtjes së pyjeve nga prerësit ilegalë, tani ky agjencion është i angazhuar edhe në mbrojtjen nga zjarret pyjore, si dhe nga sëmundjet dhe dëmet që mund tju bëhen pyjeve nga erërat e fortë.
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, përkundër asaj që kompetencat për ruajtjen e pyjeve u janë deleguar komunave të Kosovës, Agjencioni Pyjor i Kosovës ka realizuar gjithsej 372 kontrolle në hapësirat pyjore, ndërsa gjatë kësaj periudhe për shkak të dëmtimit të masës drunore, ka adresuar gjithsej 102 fletëparaqitje në gjykata.
Në Kosovë sipërfaqja e përgjithshme e tokave pyjore është rreth 464.000 hektarë, ku rreth 278.000 hektarë janë pyje publike dhe rreth 186.000 hektarë janë pyje private.