23 Dhjetor 2024

APK do të pajisë me armë të gjitha rojet e pyjeve

Prishtinë, 2 prill - Gjendja aktuale në pyjet ë Kosovës, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, të cilën e kryesoi  Nait Hasani, kryetar i Komisionit.

Lidhur me këtë, anëtarët e Komisionit u njoftuan nga kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit të pyjeve të Kosovës (APK), Ahmet Zejnullahu.

Duke folur për angazhimet e këtij Agjencioni, Zejnullahu vuri në spikamë realizimin e Planit vjetor operacional për menaxhimin e pyjeve për vitin 2012 si dhe shfrytëzimin racional të pyjeve.

Në kuadër të këtyre angazhimeve, kryeshefi i APK-së njoftoi edhe për Raportin e të hyrave  për vitin 2010, 2011 dhe 2012.

Sipas këtij Raporti, rezultonte se në vitin 2010 APK-ja ka realizuar 807 mijë e 463 euro, në vitin 2011, një milion e 378 mijë e 611 euro, ndërkaq, në vitin 2012 ky Agjencion kishte realizuar të hyra në vlerë prej një milion e 512 mijë euro.

Performancën pozitive të këtij Agjencioni, ai e ilustroi edhe me kujdesin e treguar në kursime, e që kishin të bënin me shpenzimet, dedikuar servisimit të automjeteve.

Derisa në vitin 2009, vazhdoi Zejnullahu, APK-ja për mirëmbajtje të automjeteve ka shpenzuar 182 mijë e 100 euro, ai shpenzim përgjysmohet në vitin 2010 dhe arrin shumën 83 mijë e 471 euro.

Kursimet në këtë fushë, tha ai, kanë shënuar rënie drastike duke arritur që vitin 2012 ta përmbyllim me vetëm 24 mijë e 524 euro shpenzime për këtë kategori të investimeve.

Duke folur për Planin  e shfrytëzimit të pyjeve për vitin e kaluar, ai njoftoi se në sektorin privat janë realizuar 158,839.28 m kub masë drusore, ndërsa në sektorin publik janë realizuar 33,779.57 m kub.

Me këtë rast, Zejnullahu vuri në dukje se nuk është realizuar në masën e duhur plani operacional, të cilin komunat është dashur ta  realizojnë. 

Ai në vijim foli edhe për mbrojtjen e pyjeve nga prerësit ilegal si dhe masat parandaluese për përfshirjen nga zjarri.

Me qëllim të pengimit të prerjes ilegale, kryeshefi i APK-së njoftoi se ata në vazhdimësi janë në kontakt me Policinë e Kosovës në mënyrë që të bashkërendohen veprimet kundër prerësve ilegal të pyjeve.

Ai me këtë rast njoftoi se APK-ja së shpejti do të pajisë me armë të gjitha rojet e pyjeve në Kosovë.

“Të gjitha rojet e pyjeve, kanë mbaruar trajnimet adekuate  për posedim të armëve të zjarrit”, tha Zejnullahu.

Ndër të arriturat e tjera të këtij Ajencioni, ai vuri në dukje pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura në hapësirë prej 545 ha si dhe inventarizimin e pyjeve i cili pritet të përfundojë gjatë këtij viti.

Në vijim, ai sqaroi edhe për çështjet që ngritën anëtarët e Komisionit.
Pas kësaj, u zhvillua debat i gjerë lidhur me menaxhimin dhe ruajtjen sa më të mirë të pyjeve. 

Me këtë rast, u vunë re mangësi të shumta ligjore dhe shpërndarje e panevojshme e kompetencave.
 
Për të pasur menaxhim më të mirë dhe ruajtje sa më efikase të pyjeve, duhet që sa më parë të iniciohet plotësim-ndryshimi i Ligjit për pyjet, ishte konstatimi në mbledhjen e sotme të Komisionit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)