23 Dhjetor 2024

Anamorava me qendër për ruajtjen e prodhimeve bujqësore

Prishtinë, 23 maj - Ndërtimi i qendrës për grumbullimin, ruajtjen, klasifikimin, kalibrimin dhe shitjen e produkteve bujqësore në rajonin e Anamoravës, po ua lehtëson edhe më tej punën e fermerëve të kësaj ane.

Edhe kjo qendër grumbulluese, e cila është ndërtuar me teknologji moderne është bashkëfinancim i Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë “Ask Foods”, e cila për ndërtimin e saj ka përfituar grant qeveritar në vlerë prej 1 milion euro.

Në përurimin e saj, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se investimet në rajonin e Anamoravës do t’i vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke ndikuar kështu edhe në hapjen  vendeve të reja të punës në këtë rajon.

“Kjo qendër është shembulli më i mirë i një partneriteti mes Qeverisë dhe biznesit privat, i cili ka ndikuar në hapjen e 50 vendeve të reja të punës. Por, investimet tona për këtë rajon do të rriten edhe më shumë në të ardhmen. Madje, me misionin e ri ne kemi planifikuar edhe 500 milionë euro për sektorin e bujqësisë, ku përmes këtij investimi do të arrijmë të krijojmë edhe 50 mijë vende të reja të punës në këtë sektor”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se këto qendra i ofrojnë siguri të madhe fermerëve për të rritur edhe sipërfaqet e mbjella dhe prodhimtarinë.

“Këto qendra mundësojnë që konsumatori ynë të furnizohet me produkte vendore gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në pikun sezonal. Ndërtimi i tyre do të ndikojë edhe në zgjatjen e jetës së produkteve bujqësore dhe në zëvendësimin e produkteve të importit gjatë muajve kur ne nuk kemi prodhim”, tha Stavileci.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i kompanisë “Ask Foods”, Erton Nomani, ka treguar se kjo qendër grumbulluese është ndërtuar në bazë të standardeve izraelite, e cila sipas tij, funksionon pa oksigjen, gjë që ndikon në ruajtjen e pemëve dhe perimeve deri në një vit.

Ndryshe, sipërfaqja e qendrës grumbulluese në rajonin e Anamoravës është rreth 4000 m² dhe ka një kapacitet për ruajtjen e pemëve dhe perimeve prej 10 mijë ton në vit.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)