23 Dhjetor 2024

Agropërpunimi i produkteve bujqësore, jepen 5.5 milionë euro

Prishtinë, 4 shkurt - Kosova me prodhimtarinë primare bujqësore, e cila përdoret si lëndë e parë, nuk qëndron keq. Por, më ndryshe vlerësohet gjendja në industrinë agropërpunuese.

Mungesa e qendrave për grumbullim, paketim dhe ruajtje të prodhimeve bujqësore, pastaj përpunimi dhe marketingu i tyre dhe avancimi i linjave prodhuese dhe përpunuese kanë qenë sfida që e kanë shoqëruar në vazhdimësi këtë industri, e cila në të kaluarën kryesisht është përkrahur vetëm nga fondet e Komisionit Evropian, por këtë vit po përkrahet edhe nga Ministria e Bujqësisë.

E investimet e kësaj ministrie në ruajtjen, përpunimin dhe marketingun e produkteve të qumështit, mishit, frutave, perimeve dhe rrushit, sivjet arrijnë në rreth 5.5 milionë euro.

Përmes këtyre investimeve synohet rritja e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese duke zbatuar teknologjinë moderne, përmirësimi i standardeve në përpunimin e produkteve agroushqimore dhe inkurajimi për përdorimin e teknologjive të reja për ruajtjen e mjedisit.


Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se përveç mbështetjes së prodhimtarisë primare, po bëjnë përpjekje ta mbështesin të gjithë zinxhirin e vlerave ushqimore dhe në masë të madhe sivjet janë fokusuar edhe në agropërpunimin, stabilizimin e prodhimtarisë nëpër depo ruajtëse dhe në marketingun e tyre përmes përmirësimit të linjave të paketimit dhe ambalazhimit.

“Niveli i mbështetjes së agropërpunimit përmes grantimit përfshin 60 përqind të investimeve, ndërsa 40 përqind mbulohen nga investitorët.

Procedurat e nevojshme për ndërtimin e tre qendrave të mëdha për grumbullimin, paketimin dhe ruajtjen e prodhimeve bujqësore tashmë janë në proces të finalizimit dhe ndërtimin e tyre ne jemi duke e mbështetur me 2.5 milionë euro.

Gjithashtu, përpunimin, marketingun dhe ruajtjen e frutave, perimeve dhe nënprodukteve të tyre, përfshirë edhe prodhimin e verës, do e mbështesim me 1 milion euro dhe 1 milion euro të tjera do t’i investojmë edhe në grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e qumështit.

Me po kaq mjete, pra me 1 milion euro, do ta mbështesim edhe përpunimin e mishit përmes investimeve në thertore, në linjat përpunuese dhe në linjat ruajtëse të mishit”, tregoi Stavileci, i cili sqaroj se agropërpunimin sivjet do ta mbështesin me 5.5 milionë euro.

Për të përfituar nga kjo nënmasë, për të cilën së shpejti do të bëhet thirrje publike, aplikuesit duhet që biznesin e tyre ta kenë të regjistruar në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve dhe të jenë në dy vitet e fundit aktiv në ndonjë veprimtari bujqësore.

Ndërkaq, aplikuesit në sektorin e përpunimit të qumështit, mishit dhe thertoret duhet të jenë pjesë e kategorisë A, B dhe C të listës së kategorizimit të objekteve për përpunimin e ushqimit, të cilin e bënë Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)