Agrobizneseve u ndahen edhe 4.5 milionë euro grante investive
Prishtinë, 6 dhjetor - Rreth 4.5 milionë euro është vlera e granteve rurale, të cilat janë ndarë për gjashtëmbëdhjetë ndërmarrje bujqësore.
Përmes këtyre granteve, që hyjnë në kuadër të skemës së dytë të granteve rurale të Bashkimit Evropian, synohet rritja e kapaciteteve prodhuese të agrobizneseve, rritja e cilësisë së produkteve ushqimore, ngritja e standardeve evropiane të këtyre produkteve dhe ndryshimi i bilancit aktual tregtar.
Në lansimin dhe promovimin e kësaj skeme, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se të gjitha ndërmarrjet përfituese të skemës së parë të granteve rurale të BE-së, kanë arritur që brenda dy viteve ti rrisin kapacitetet e tyre prodhuese e përpunuese dhe ti ngrisin edhe standardin dhe cilësinë e prodhimeve bujqësore, që sipas tij janë ndër sfidat më të mëdha me të cilat janë duke u ballafaquar.
Ai tregoi se sektori që ka përfituar më së shumti nga skema e parë e këtyre granteve, ka qenë sektori i qumështit, në të cilin tash janë bërë përparime të mëdha.
Me këto investime që po bëhen, po krijohen mundësitë që pas disa vitesh ti lëvizim shumë më shpejt treguesit e sotëm negativ drejt atyre pozitiv. Këtë gjë do ta arrijmë, sepse duke nisur nga viti i ardhshëm, përmes granteve investive ne do të përkrahim edhe shumë sektorë që deri më tash nuk kanë qenë të përkrahur. Përpos kësaj, ne do të kemi edhe masa tjera plotësuese përmes të cilave përveç industrisë prodhuese, do të mbështesim edhe atë përpunuese, tha ministri Stavileci.
Përmes këtyre granteve rurale dhe programeve sektoriale që ka ministria, ai tha se presin që në të ardhmen e afërt të kenë rezultate edhe më të mëdha, të cilat do ti ndryshojnë edhe treguesit makroekonomik të vendit tonë.
Në anën tjetër, Christof Stock nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se skema e granteve rurale ka ofruar dhe po ofron shumë mundësi për përfituesit potencial dhe po i ndihmon Kosovës në përmbushjen e standardeve dhe kërkesave të Bashkimit Evropian.
Synimi ynë mbetet rritja e konkurrencës brenda bujqësisë së Kosovës, krijimi i vendeve të punës, sidomos në vendet rurale, sepse në këto vende papunësia është më e madhe, pastaj rritja e pjesëmarrjes së produkteve vendore në tregje, si dhe rritja e besimit në produktet vendore, gjë që është shumë me rëndësi, tha Stock.
Ndërsa, Valdet Gjinovci, shef i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës, vlerësoi se grantet rurale po mundësojnë që prodhuesit vendorë të rrisin standardet e sigurisë ushqimore, që është një nga objektivat themelore të agjencisë që ai udhëheq.
Vlera minimale e lejuar për të përfituar nga skema e granteve rurale të BE-së ka qenë 200 mijë euro, ndërsa ajo maksimale 500 mijë euro.
Ndryshe, në skemën e parë të granteve rurale të BE-së që është implementuar vitin e kaluar, kanë përfituar 13 ndërmarrje bujqësore.