Agrobizneset vendore e të huaja, promovojnë prodhimet e tyre
Prishtinë, 2 tetor - Rreth 100 agrobiznese vendore dhe të huaja po i promovojnë prodhimet e tyre në Panairin e Produkteve Bujqësore, i cili është hapur sot në sallën 1 Tetori, në Prishtinë.
Në mesin e këtyre agrobizneseve, shumica janë kosovare të cilat sivjet, në krahasim me vitet e kaluara kanë arritur që me investimet e tyre të rrisin edhe cilësinë e prodhimtarisë së tyre bujqësore.
Në hapjen e këtij panairi, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, theksoi se nga viti në vit, po e rrisin përkrahjen institucionale dhe investimet në këtë sektor, gjë që sipas tij po ndikon edhe në rritjen e këtyre agrobizneseve dhe në krijimin e agrobizneseve të reja.
Shtimi i përkrahjes dhe investimeve tona, po ndikon edhe në ndryshimin e treguesve makroekonomik në vend, të cilët ndërlidhen edhe me punësimin, ku vetëm gjatë periudhës 2008-2011 kemi arritur që me investimet tona të krijojmë 2175 vende të reja të punës."
"Ndërsa, gjatë vitit të kaluar kemi krijuar 1863 vende të reja pune dhe me realizimin e programit mbështetës të këtij viti presim të krijojmë edhe 3034 vende të reja, ku në total del se për një periudhë disa vjeçare ne kemi krijuar rreth 7070 vende të reja pune në këtë sektor, tha ministri Stavileci.
Ai tha, se përveç politikave investive të përkrahura nga Qeveria e Kosovës, viteve të fundit këto të fundit janë kompletuar edhe me politika të favorshme fiskale, duke përmendur në këtë rast marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe vendimin për aplikimin e normës së sheshtë për prodhimet primare bujqësore.
Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se sektori i bujqësisë me kalimin e kohës, përmes mbështetjes që po i jep Ministria e Bujqësisë dhe institucionet tjera, po e merr prioritetin që e meriton.
Panairet e tilla po iu mundësojnë fermerëve dhe agrobizneseve thellimin e bashkëpunimit edhe me agrobizneset e rajonit dhe më gjerë, gjë që është shumë e rëndësishme për operimin e mëtutjeshëm. Por në këtë rast, vlen të theksohet se prodhimet e fermerëve tanë kanë nevojë të mbrohen edhe nga konkurrenca jolojale, tha kryetari Gërxhaliu.
Panairi i Produkteve Bujqësore, i cili organizohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Oda Ekonomike e Kosovës, do të jetë i hapur deri me 5 tetor dhe në të përveç agrobizneseve kosovare janë edhe rreth 20 agrobiznese të huaja nga 6 shtete të rajonit.