AAK: Toka bujqësore po keqmenaxhohet
Prishtinë, 19 prill - Departamenti për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së, ka shprehur shqetësimet e veta, lidhur me fondin e tokës bujqësore në Kosovë, i cili sipas AAK-së, është tejet i dhunuar, i tjetërsuar, i keqpërdorur, e i keqmenaxhuar, nga format më të ndryshme dhe më të egra.
Këto shqetësime AAK, i ka shpalosur në një konferencë për media me rastin e 22 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Tokës, e cila konsiderohet si dita e apelit ndaj problemeve që lidhen me degradimin e tokës.
Kryetari i Departamentit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së, Imer Rusinovci, ka thënë se kujdesi ndaj tokës duhet të jetë shumëdimensional, nga mbrojtja, përdorimi dhe rikthimi në përdorim.
Ai, ka vlerësuar se toka është problem strategjik jo vetëm për bujqësinë si sektor, por është edhe problem kombëtar, që lidhet me të sotmen dhe të ardhmen e vendit, duke pasur parasysh problemet alarmante që po ndodhin me të kohës së fundit në vend, si, shpërdorimi, shkatërrimi, dhunimi i tokës dhe tjetërsimi i egër i saj.
Në Kosovë po karakterizohemi me tjetërsim, dhunim, përdhunim nga format më të egra të tokës bujqësore, dukuri kjo që po na shpije në dy paradokse të mëdha në shkallë vendore. Aktualisht Kosova po kategorizohet në grupin e vendeve të ashtuquajtura strukturalist importuese, si rezultat i pamjaftueshmërisë së prodhimit vendor, nga ky resurs tokësor që e kemi dhe me bonitete të larta ekzistuese dhe shpeshherë si pasoi e jo planifikimit të duhur, përkatësisht politikave qeveritare po kemi hiperprodhim të një produkti të caktuar, ka thënë ai.
Departamenti për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së, fajtor për gjendjen e krijuar në terren ua hedhë pikërisht institucioneve, të cilat janë të obliguara që të merren me mbrojtjen, dhe shfrytëzimin racional të tokës bujqësore, i cili konsideron si të paarsyeshme dhe të panevojshme, krahas këtyre potencialeve agroekologjike të cilat disponon Kosova, të importojnë deri në 700 milion euro prodhime bujqësore.
Mirëpo, kritikave të AAK-së, i është përgjigjur, zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behrami, i cili ka thënë se humbjet e tokës bujqësore të planifikuara, ose të paplanifikuara janë tejet shqetësuese si dukuri edhe për Ministrinë e Bujqësisë, mirëpo, ai shpjegon se Ligji për Tokën Bujqësore është në fuqi prej vitit 2006 dhe se prej asaj kohe e deri më tani kanë lëshuar vetëm 37 pëlqime që përkthyer në sipërfaqe janë 75 ha. Kjo është çështje ekskluzive e komunave dhe se prej Ministrisë së Bujqësisë prej vitin 2006 e deri më tani ne i kemi lëshuar vetëm 37 pëlqime që përkthyer në sipërfaqe janë 75 ha.
Ndërkaq brenda vitit llogaritet që humbin deri në 500 hektar. Nëse bëhet një përllogaritje brenda 6 vjetëve ne kemi humbur 3 mijë hektar. Ndërsa nga ne janë lëshuar pëlqime vetëm për 75 hektarë dhe këto pëlqime kanë qenë qoftë për interesa të komunave qoftë për interesa nacionale, si për burgun në Komunën e Prishtinës, ndërtimi i një linje të veçantë në aeroport, parku i biznesin, etj, ka thënë ai.
Edhe sa i përket çështjes së importit, Behrami ka pohuar se krahasuar me vitin 2009, në vitin 2012 është ulur dukshëm importi, sidomos i grurit. Por sipas tij, ngritja e importit po bëhet për shkak të influentimit të çmimeve dhe jo ngritje në sasi.
Ndërsa edhe sa i përket buxhetit, Behrami ka shpjeguar se në vitin 2007, kur kjo ministri është drejtuar nga AAK, buxheti ka qenë vetëm 300 mijë euro, ndërsa në vitin 2013 buxheti për këtë ministri është rreth 30 milionë euro.
Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Tokës, 22 Prilli, konsiderohet dita e apelit ndaj problemeve që lidhen me degradimin e tokës, braktisjen dhe keqpërdorimin e saj, ndotjen nga industritë kimike, erozionin e shkaktuar nga shpyllëzimet masive, etj.
Themeluesi i Ditës së Tokës, senatori amerikan Gaylord Nelson, nisur nga dëshira që problemet e kësaj natyre të hynin në vëmendjen e politikanëve, në vitin 1962 propozoi për kremtimin e Ditës së Tokës, i cili propozim më vonë mori edhe aprovimin e Presidentit të SHBA-ve në atë kohë, Xhon Kenedit.