AAK: Qeveria po e bën Kosovën tokë djerrinash
Prishtinë, 22 prill - 22 Prilli - Dita e Planetit të Tokës, që nga viti 1970 shënohet në të gjithë botën, kurse që nga viti 1990 është bërë globalizimi i saj - si Ditë Ndërkombëtare e Tokës.
Shënimi i kësaj dite të rëndësishme, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes kolektive për ambientin, si dhe të tregojë kërcënimin që i kanoset jetës në Tokë nga rrezikimi i vlerave natyrore dhe moskujdesi i njeriut ndaj saj.
Kjo ditë konsiderohet apel, për marrjen e masave konkrete për mbrojtje të Tokës dhe të gjitha resurseve natyrore, si nga institucionet ashtu edhe nga individë dhe organizata të shumta.
Edhe Republika e Kosovës, sot e shënon këtë ditë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se territori i Republikës së Kosovës, edhe pse me vlera të shumta të trashëgimisë natyrore, prape se prapë lë vend për brengosje, kur kemi parasysh faktet negative të cilat nuk janë të pakta, lidhur me degradimet e mjedisit, e sidomos të sipërfaqeve tokësore.
Neglizhenca e Qeverise së Kosovës për zbatimin e ligjeve në funksion të luftës së vazhdueshme për shfrytëzimin e qëndrueshëm të mjedisit sipas AAK-së ka reflektuar mjaft negativisht sidomos në degradimin dhe humbjen e vazhdueshme të tokës bujqësore, edhe pse ajo paraqet garancë për sigurimin e ushqimit në të ardhmen.
Duke parë që mjedisi në përgjithësi dhe Toka, në veçanti, për momentin nuk janë prioritetet për Qeverinë e Republikës e Kosovës, Departamenti i Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, rekomandon që të merren masa urgjente për ndërprerjen e këtyre dukurive negative:
· shëndërrimin e tokave bujqësore pjellore në mënyrë të paarsyeshme në toka ndërtimore (sipas vlerësimeve të MBPZHR, rreth 400 hektarë të tokës bujqësore shndërrohet në tokë ndërtimore brenda një viti);
· braktisjen e tokave bujqësore (si rezultat kemi krijimin e djerrinave e, më pastaj, mungesën e ushqimit);
· degradimin e tokave bujqësore të kualitetit më të mirë të vendit përgjatë rrjedhave të lumenjve të Kosovës (edhe pse kjo, sipas legjislacionit në fuqi, nuk do të duhej të ndodhte);
· degradimin e tokave, si rezultat i deponisë së hirit të Termocentraleve të Kosovës;
· mungesën e ujitjes së tokave të Kosovës (ku si rezultat kemi produktivitetin jo të lartë të saj);
· aktivitetin e vazhdueshëm të një numri të madh të gurthyesve të shpërndarë gjithandej dhe pa kurrfarë aktiviteti revitalizues, e gati të gjitha me pëlqim mjedisor;
· dëmtimin e shtretërve të lumenjve nga eksploatimi pa kriter i rërës dhe zhavorrit;
· degradimin e vazhdueshem të pyjeve, ku si rezultat kemi favorizimi e erozionit (më tepër se 12 mijë hektarë pyje janë të dëmtuara, një pjesë e madhe e tyre janë dëmtuar nga zjarret dhe nje pjesë nga prerjet e pakontrolluara).
\"Edhe pse sot e gjithë bota e shënon 22 Prillin, Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Kosova si shtet ende ballafaqohet me probleme të shumta rreth mjedisit (duke përfshirë edhe tokën, si një ndër çështjet më probleatike të tij).\"
\"Në këtë rast shtrohet pyetja: a do të mjaftonte vetëm shenimi i një dite për të mirën e Tokës? Natyrisht se jo. Sepse me datën 22 Prill, mund të fillojmë të sillemi më me respekt dhe më me përgjegjësi ndaj saj, por këtë duhet ta vazhdojmë çdo ditë të jetës sonë, e jo vetëm gjatë shënimit të një dite të caktuar.\"
\"Pra, një përkujdesje (mbrojtje, ruajtje dhe kultivim) ndaj resurseve natyrore, nënkupton një menaxhim më aktiv dhe cilësor ndaj këtyre burimeve dhe vlerave te pamohueshme, që na ofron natyra dhe mjedisi jonë jetësor\", vlerëson AAK.