AAK mbështetë fuqishëm prodhuesit vendorë të qumështit
Prishtinë, 15 qershor - Aleanca konsideron se kërkesat e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit dhe produkteve të tij, në protestën e sotme të fermerëve vendorë, janë të drejta dhe plotësisht të arsyeshme.
Grupi Parlamentar dhe Departamenti për Bujqësi i AAK-së, kanë konstatuar se në vitet e fundit janë grumbulluar me dhjetra probleme në këtë sektor, të cilat Qeveria e Kosovës i ka injoruar dhe vazhdon ti injorojë.
Industria e prodhimit të qumështit numëron rreth 50 mijë vende pune dhe mbi 500 milionë euro investimeve të sektorit privat në vend. Qeveria e Kosovës, me politikat e veta, po rrezikon falimentimin e kësaj industrie dhe mbylljen e 50 mijë vendeve të punës.
Aleanca kërkon nga Qeveria e Kosovës, që prodhimin vendor dhe importin e qumështit, ta mbështesë me politika të drejta bujqësore, si në vendet e rajonit, ta monitorojë atë me saktësi dhe konform standardeve të industrisë ushqimore.
Po ashtu AAK kërkon që, të gjitha kontigjentet e qumështit që importohen, të kontrollohen në plotni me aktet normative që parasheh HASAP-i. Ndërsa, nga qeveria dhe institucionet tjera të vendit, Aleanca kërkon ndërmarrjen urgjente të këtyre hapave:
Aplikimin e Tarifës së Integruar të Kosovës (TARIK), sikur se në vendet e BE-së dhe në vendet e rajonit, me qëllim mbrojtjen e produkteve vendore;
Zbatimin, pa asnjë hezitim, të ligjit anti-damping;
Kuotizimin e importeve të qumështit dhe të produkteve të tij;
Rregullimin ligjor të importit të produkteve me prejardhje bimore;
Marrjen e masave balancuese ndaj produkteve të subvencionuara, dhe
Lirimin nga taksat e importit për materialin e domosdoshëm dhe për lëndën djegëse për prodhim.
Andaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbështetë fuqishëm protestuesit në kërkesat e drejta dhe kundërshton padrejtësitë që po u bëhen këtyre prodhuesve, në monopolet importuese me qumësht, nga kompanitë e caktuara.
Aleanca është deri në fund në anën e prodhuesve vendorë të Kosovës, si një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit.