22 Dhjetor 2024

AAK kritikon për tokën bujqësore

Prishtinë, 21 prill -Dita Ndërkombëtare e Tokës, 22 Prilli, konsiderohet dita e apelit ndaj problemeve që lidhen me degradimin e tokës, braktisjen dhe keqpërdorimin e saj, ndotjen nga industritë kimike, erozionin e shkaktuar nga shpyllëzimet masive, deklarojnë zyrtarët e AAK-së.

Imer Rusinonci, kryetar i Departamentit për Bujqësi, Pylltari e Zhvillim Rural të AAK-së, ia bënë me dije Qeverisë së Kosovës se Dita e Tokës, përkatësisht 22 Prilli, është një ditë për të rikujtuar tokën që të kujdesemi për të. ”Kujdesi ndaj tokës duhet të jetë shumëdimensional, nga mbrojtja, përdorimi dhe rikthimi në përdorim. Departamenti për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së, ua rikujton faktin se Toka është një mjet që prodhon vazhdimisht dhe mjafton që atë ta mirëmbajmë dhe kultivojmë”.

Për AAK-në, ruajtja e tokës është problem strategjik, për arsye se fondi i tokës është i kufizuar, madje edhe në nivel planetar, për ç’gjë toka duhet të shfrytëzohet racionalisht, të mbrohet maksimalisht dhe, nga aspekti ligjor, të trajtohet posaçërisht. Toka është problem strategjik jo vetëm për bujqësinë si sektor, por është edhe problem kombëtar, që lidhet me të sotmen dhe të ardhmen e vendit, duke pasur parasysh problemet alarmante që po ndodhin me të kohës së fundit në vend, si: shpërdorimi, shkatërrimi, dhunimi i tokës dhe tjetërsimi i egër i saj.

Departamenti për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së, konstaton se me anazognozi, kjo Qeveri na solli në situatë me sipërfaqe minimale të tokës bujqësore për kokë të banorit, tërësi jokompakte teknologjike të tokës, produktivitet të ulët të punës nga toka, deficit të prodhimeve bujqësore etj., ndërkohë që askush nuk shqetësohet për këtë. Në mënyrë obskurantiste, me leje të zyrtarëve institucionalë, po vazhdojnë të ndërtojnë në tokat më të mira bujqësore, depo, pompa të benzinës, hotele, motele, rrugë etj. Raporti i institucioneve të vendit me personalitete të pandërgjegjshme, që po e keqpërdorin, uzurpojnë dhe tjetërsojnë tokën bujqësore, është më tepër skenik sesa real. Shkatërrimi i tokës bujqësore në vend, nuk është pasojë e mungesës së legjislacionit, por, në fakt, pasojë e moszbatimit të legjislacionit. Konsiderojmë se ekziston bazë ligjore për mbrojtjen e tokës bujqësore nga të gjitha format e shkatërrimit, porse për ketë nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik, angazhim dhe guxim për zbatimin e ligjeve.

Departamenti për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së, sugjeron që për tejkalimin kësaj situate, nevojitet angazhim shumë më i madh i MBPZHR-së, MMPH-së dhe komunave, përfshirë këtu edhe inspeksionet në kuadrin e tyre, ku secila prej këtyre institucioneve duhet të bartë pjesën e përgjegjësive që i ka të përcaktuara me ligj. Departamenti për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së, kërkon haptas që në nivel vendi të mos kultivohet hezitim, hamendje apo premtime verbale. Njerëzit janë të habitur dhe hezitojnë të thonë  se çfarë po ndodhë me ne në Kosovë? Jemi fuqi e madhe e rezervave të linjitit, e nuk kemi rrymë për nevojat tona, e lëre më për eksport? Kemi toka të punueshme dhe kushte të mira klimatike, ndërsa importojmë pjesën më të madhe të prodhimeve ushqimore? Kemi një kontingjent të personave të aftë për punë, që s’e ka kush në Evropë, i cili nuk aktivizohet? Dhe, më në fund, në vend që edhe ne ta festojmë këtë ditë ndërkombëtare të Tokës, 22 Prillin, si shumë vende të tjera, kemi deficit të shumë produkteve ushqimore, humbim sipërfaqe marramendëse të tokave bujqësore, ndërsa 1/3 e tokave të punuara janë shndërruar në djerrina e kapacitetet e industrisë ushqimore kjo qeveri i ka shndërruar në hekurishte.

Departamenti për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së, përfundon se toka mund të vazhdojë regjenerimin e burimeve të veta jetësore, vetëm për aq kohë sa ne dhe akterët kryesorë në vend të bëjmë pjesën e punëve që na takojnë, për t’i ruajtur burimet  natyrore. Këtë përgjegjësi duhet ta ndajmë çdonjëri prej nesh e, ne veçanti, institucionet e vendit, të cilat janë të thirrura për këtë. Nëpërmjet një veprimi institucional, që do të duhej të ishte, të gjithë ne do kontribuonim së bashku në ndërtimin e një toke produktive, në harmoni me bukuritë natyrore.

Qeveria aktuale duhet ta pyesë veten: “A kemi  bërë një ndryshim për të rritur, mbrojtur dhe për të investuar në cilësinë e jetës për brezat e ardhshëm të këtij vendi?”. Gjithashtu, kjo Qeveri duhet të veprojë seriozisht, siç kanë vepruar vendet tjera që nga vitet e ’70-ta, ku shumë qeveri të vendeve kanë krijuar agjenci për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa te ne fare nuk diskutohet një gjë të tillë. Përfundimisht, vendi ynë ka nevojë për versionin e liderit të madh të modalitetit të Al Gorit, i cili fliste dhe luftonte për mbrojtjen e tokës. Për më shumë, ne kemi nevojë për njerëz dhe qytetarë të vendit që do të angazhohen për të ndërmarrë veprime konkrete. Konsideroj se liderë të formatit të tillë, sot i mungojnë Kosovës.


Edhe qeveria brengoset


Por zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Adil Behramaj, ka deklaruar se “Edhe për ata është shqetësues ndërrimi i destinimit të tokave bujqësore, por komunat kanë për obligim të bëjnë zbatimin e ligjit për tokën bujqësore dhe procedurat e përgjegjësitë për ndërrimin e destinimit janë të rregulluara me akte nënligjore. "Nga ministria kërkohet pëlqimi vetëm për tokat bujqësore të klasës 1-4, të cilat kanë bonitet më të lartë dhe me propozim të komunave, varësisht se çfarë parashohin ato në planet zhvillimore të tyre për zona të ndryshme, edhe ne e japim pëlqimin apo mospëlqimin, të cilin komunat mund ta përfillin duke e shndërruar në vendim ose edhe ta shpërfillin dhe ta refuzojnë në tërësi. Prej vitit 2006 kur ka hy në fuqi ligji dhe deri më tani, komunave u janë dhënë vetëm 37 pëlqime nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural", ka theksuar ai.

Sipas tij për ta parandaluar këtë dukuri, së bashku me institucionet relevante jemi duke e hartuar Udhëzimin Administrativ për elementet mbi të cilat duhet të hartohen planet zhvillimore komunale, ku theksi kryesor do të vihet tek planifikimi hapësinor rural dhe si plan i fundit do të jetë edhe zonimi i ndërtimeve në çdo fshat. "Po ashtu, do të caktohen zonat që planifikohen të përdoren për veprimtari bujqësore, zonat që nuk janë të favorshme të përdoren, zonat që do të pyllëzohen, zonat ku duhet të intervenojmë me masa të ndryshme për t’i përmirësuar, zonat të cilat kanë kufizime për ushtrimin e aktiviteteve ekonomike dhe të tjera. Përveç kësaj, në kodin e ri penal kemi përfshirë edhe një neni për mbrojtjen e tokës bujqësore, ku ndërtimet pa lejën e organeve kompetente, që në këtë rast janë komunat, të trajtohen si vepër penale dhe jo si vepër administrative kundërvajtëse si deri më tash", ka pohuar ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)