AAK: Buxheti diskriminues dhe shkatërrues për bujqësinë
Prishtinë,18 nëntor - Buxheti i planifikuar nga Qeveria e Kosovës, për sektorin e Bujqësisë, sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës edhe sivjet e injoroi rëndësinë ekonomike, sociale dhe mjedisore të këtij sektori jetik për zhvillim.
Koordinatori i Departamentit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të AAK-së Prof. Dr. Imer R. Rusinovci ka thënë se Kosova vazhdojn të mbetet vendi me bujqësinë më të pazhvilluar në rajon, dhe rrjedhimisht me papunësi dhe varfëri në rritje.
Derisa vendet përrreth sipas tij investojnë në prodhim të ushqimit të shëndoshë, Qeveria e Kosovës, kënaqet me investime simbolike, që nuk ofrojnë qëndrueshmëri zhvillimore.
Rendimentet e larta, modernizimi i fermave, trefishimi i prodhimit të brendshëm, subvencionet specifike, prioritetet buxhetore për bujqësinë siç ka thënë ai janë vetëm fasadë e fjalorit ditor medial të kësaj qeverie.
Rusinovci ka theksuar se realiteti është i zymtë, me toka të shkatërruara, pyje të degraduara, lumenj të ndotur dhe ara të ndotura e djerrina. Këto politika të këqija bujqësore e sollën vendin në shkallë të madhe të importit, për shumë prodhime bujqësore.
Objektiv i Departamentit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural të AAK-së sipas tij është që fermerët të mos e braktisin bujqësinë, sepse ky sektor është burim shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik.
"Jemi një vend agrar, në të cilin bujqësia kontribuon me rreth ¼ në formimin e BPV, punëson 25-30% të popullatës dhe merr pjesë me 15% të vlerës së eksportit vendor. Por, shpërblimi që ajo po merr nga ana e buxhetit të shtetit dhe financimeve publike është mbi 20 herë më i vogël", ka vlërsuar ai.
Vërejtjet e Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian, në tetor të këtij viti, për sektorin e bujqësisë në Kosovë ishin: në vitin 2011 buxheti për bujqësi ishte më i ulët për 7% në raport me vitin 2010, nuk është bërë regjistrimi i fermave dhe ka informalitet të shprehur, mospërputhje e statistikave të EUROSTAT-it me ato të Entit Statistikor të Kosovës, shërbimet këshillëdhënëse jo të duhura dhe inspektim për produktet ushqimore është i dobët.
Edhe zbatimi i atyre pak suvbencionimeve, i filluar kohët e fundit, sipas Rusinovcit po vazhdon me praktikat partiake dhe rajonale, pa kritere të mirëfillta, të cilat nuk garantojnë zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë.
Pylltaria sipas tij është në gjendje edhe më të mjeruar, si pasojë e shkatërrimeve dhe degradimit të pyjeve dhe tokave pyjore, në vazhdimësi.
"Të hyrat e realizuara nga shërbimet e ofruara, taksat dhe shitja e masës drusore janë nën çdo minimum. Brenda vitit në Kosovë prehen më tepër se 555.000 m3 dru, me të cilat, nëse konvertohen në vlerë, Buxheti i Kosovës dëmtohet për më tepër se 25 milion euro në vit. Aktiviteti i Ministrisë në këtë drejtim, kinse fokusohet në pyllëzime, të cilat jo vetëm që nuk janë të suksesshme, por bëhen veç sa për fushata mediale."
Ai po ashtu ka përmednus se si tokat bujqësore po shkatërrohen dhe tjetërsohen vazhdimisht në mënyrë të egër, gjë që pranohet edhe nga vetë përgjegjësit e MBPZHR-së dhe Komisionit Parlamentar të Kuvendit të Kosovës.
Çdo ditë siç ka thënë ai lëshohen leje nga MBPZHR-ja për ndërrimin e destinimit të tokave bujqësore, duke përfshirë edhe tokat bonitative të klasës së I-IV, të mbrojtura me Ligjin për Tokat Bujqësore.
Skandali sipas tij merr përmasa edhe më të mëdha me dhënien e lejeve edhe për tokat e konsoliduara dhe ato nën sistemin e ujitjes.
Strukturat organizative, edhe përkundër dokumentit Rishikimi Funksional i MBPZHR nga FREEDOM-i, jo vetëm që nuk po zbatojnë rekomandimet, por gjithnjë e më shumë po shndërrohen në struktura jofunksionale dhe konfuze.
Mungesa e stafit kompetent, përmendet edhe në Raportin e Progresit dhe në të gjitha dokumentet e ndërkombëtareve (Lack of competent staff), ndërsa për çudi një numër i caktuar i stafit, me lidhje politike e familjare, po e dëmton buxhetin e Kosovës, duke u paguar edhe deri në 500 euro shtesë në muaj, përveç pagës së rregullt, në emër të Rikthimit të trurit!!!
Paradoks ky që po bëhet në njërën anë me mungesën e profesionalizmit, e në anën tjetër me shpërblime në emër të Aftësive dhe njohurive të jashtëzakonshme.
Departamenti për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së, konsideron se prodhimi bujqësor në mënyrë graduale po bie, eksporti është minimal, importi është marramendës dhe për pasojë rriten çmimet në përgjithësi e, në veçanti, në fondin e ushqimeve.
Qeveria e Kosovës akoma nuk i ka të qarta mandatet dhe përgjegjësitë lidhur me njoftimin, orientimin dhe sigurimin e tregjeve të produkteve bujqësore dhe ndihmën e fermerëve përmes politikave fiskale. Po ashtu, është detyrë e institucioneve qeveritare përcjellja e trendeve regjionale dhe botërore për prodhime ushqimore, me qëllim të hartimit të politikave të mirëfillta bujqësore.
Departamenti për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural i AAK-së, rekomandon: Ngritje të buxhetit për bujqësi, në përputhje me kontributin e sektorit për zhvillim ekonomik, miratim të politikave për mbrojtjen e prodhimeve vendore dhe zbatimin e tyre, Aplikim të proteksionizmit agrar, të cilin e bëjnë edhe vendet tjera, Ndryshime të politikave doganore, për mbrojtjen e prodhimeve vendore;
Rekomandimet tjera nga komisonion janë po ashtu Aplikimi i strategjive të qëndrueshme të tokave bujqësore, pyjeve dhe të tokave pyjore, Mbrojtje të tokave bujqësore, pyjeve dhe tokave pyjore, në përputhje me ligjet në fuqi, Investimet në bujqësi synim kryesor të kenë rritjen e konkurrencës me prodhime cilësore, Të ndërmerren reforma në politikat bujqësore, Bashkëpunim me institucione shkencore për njohuri të teknologjive të reja bashkëkohore dhe Orientim dhe mbështetje të fermerëve në gjetjen e tregjeve dhe marketing bujqësor etj.
AAK kërkon që në ktë aspekt të mos ketë hezitim, hamendje e premtime verbale. Nuk duhet të frikësohemi nga konkurrenca, sepse ajo gjithmonë sjell kualitet, ndërsa kualiteti zhvillim.
"Në vendin tonë kemi rezerva të mëdha të linjitit, e nuk kemi rrymë, kemi xehe të shumta, që nuk shfrytëzohen, kemi toka të punueshme dhe kushte të mira klimatike, ndërsa importojmë pjesën më të madhe të prodhimeve ushqimore, kemi deficit të shprehur në të gjitha produktet ushqimore e industriale, kurse toka po shkatërrohet me të madhe. Një sasi e konsiderueshme e tokës bujqësore është shndërruar në djerrina, ndërsa kapacitetet e industrisë ushqimore - në hekurishte", ka thënë në fund Rusinovci.