A i ka plotësuar Kosova nevojat për grurë?
Albulena S.MAVRAJ
Prishtinë, 31 gusht - Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), rreth 85 mijë hektarë grurë ishin sipërfaqet e mbjella gjatë këtij viti me grurë në Kosovë, me rendiment mesatar 3 500 kg për hektar.
Mirëpo këto shifra të deklaruara nga zyrtarja e Divizionit për Informim në MBPZHR janë kontestuar nga eksperti i bujqësisë, Ymer Rasinovci, si dhe bujku Gani Dobratiqi.
Zyrtarja për Informim në Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Albulena Maloku, ka bërë me dije për gazetën Epoka e re se rreth 85 mijë hektarë kanë qenë të mbjella me grurë gjatë këtij viti dhe se rendimentet konsiderohen të kënaqshme. Gjatë këtij viti në të gjithë territorin e Kosovës me kulturën e grurit kanë qenë të mbjella rreth 85 mijë hektarë, ndërkaq rendimentet konsiderohen të kënaqshme, po ashtu edhe cilësore.
Rendimenti mesatar i grurit për këtë vit ka arritur deri në 3 500 kilogramë për hektar. Rreth 300 mijë tonë janë siguruar nga rendimentet e grurit, e nga kjo sasi e grurit sivjet Kosova i mbulon 70 për qind të nevojave me grurë vendor, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet nga importi. Nëse flasim për ta plotësuar nevojën qind për qind, atëherë Kosova ka nevojë edhe për 100 mijë tonë të tjera apo 25 mijë hektarë të mbjella me këtë kulturë, është shprehur ajo.
Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Ymer Rusinovci, ka thënë se të dhënat prej 85 mijë hektarësh grurë të mbjella janë dyshuese pasi, sipas tij, kjo shifër është më e ulët. Konsideroj me përgjegjësi, që sipërfaqja prej 85 mijë hektarësh me grurë e mbjellë, për mua është e dyshimtë. Do të thotë, sështë e saktë, sepse mungojnë të dhënat e sakta dhe janë të mbështetura në parime të anketës, apo të përshkruara nga vitet e mëparshme. Rendimenti mesatar është me tepër i përshkruar nga komuna në komunë, ka thënë ai, duke shtuar se edhe këtë vit Kosova do të përballet me import nga kontinentet e caktuara, ashtu sikurse në vitet e mëparshme. Prodhimi vendor për nevoja ushqyese siguron një mesatare rreth 50 për qind, ndërsa pjesa tjetër sërish do të importohet, deklaruar Rusinovci.
Edhe Gani Dobratiqi, bujk nga regjioni i Prishtinës, ka kontestuar të dhënat nga MBPZHR-ja. Rendimenti është tre mijë kilogramë për hektar. As 35 për qind nuk është plotësuar nevoja për konsum të grurit, ka thënë ai. Dobratiqi ka thënë se, në krahasim me vitet e tjera, këtë vit bujqit i kanë marrë me kohë të hollat për 25 euro më shumë, të cilat, sipas tij, nuk mjaftojnë. Duhet të subvencionohet nafta, lënda e parë. 18 centë kushton kg i grurit te ne, kurse importi nga Serbia kushton 22 centë, prandaj minimumi për hektar duhet të jetë 200 euro, plus subvencionomi i naftës, është shprehur Dobratiqi.