9.8 milionë euro për blegtorinë
Por, viteve të fundit është rritur edhe konsumi i mishit të shpezëve. Rritja e investimeve në këta sektorë, ka ndikuar edhe në rritjen e interesimit të bizneseve për të investuar.
Shumica e këtyre investimeve, me përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë po bëhet edhe në ndërtimin dhe modernizimin e fermave, të cilat deri më tash nuk i kishin plotësuar kushtet për të rritur prodhimtarinë vendore.
Për sektorin e qumështit, mishit të gjedhit e brojlerëve dhe vezëve vazhdon të jetë e hapur ende periudha e aplikimit, derisa investimet e pranueshme nga Ministria e Bujqësisë arrijnë deri në 100 mijë euro në prodhimtarinë primare dhe deri në 400 mijë euro në agropërpunim.
Zyrtarë të kësaj ministrie, tregojnë se për të përfituar grante investive, aplikuesit në sektorin e qumështit duhet të kenë së paku 15 lopë qumështore ose 150 dele ose 100 dhi në prodhimtari aktive.
Ndërsa, për të përfituar grante në sektorin e mishit dhe atë të vezëve, aplikuesit nuk janë të obliguar të kenë bagëtinë në momentin e aplikimit, por të zotohen se do të kenë së paku 20 krerë viça ose 5,000 broilerë deri në finalizimin e projektit të tyre.
Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, thotë se fermerët dhe bizneset tashmë janë në vlugun më të madh të aplikimit, sepse periudha është e hapur vetëm deri më 18 mars.
Ne qëndrojmë në varshmëri të madhe me importin e mishit dhe tashmë në masë të madhe, pas stabilizimit në masë të konsiderueshme të prodhimtarisë së qumështit, jemi fokusuar edhe në rritjen e prodhimtarisë vendore të mishit, si të gjedhit, ashtu edhe të broilerëve, sepse kemi potencial të madh për zëvendësimin e importit të këtyre prodhimeve.
Fokusi ynë janë kryesisht fermerët komercial të specializuar në majmërinë e gjedheve dhe në rritjen e zogjëve për mish, thotë zëdhënësi Behramaj.
Ai tregoi se 7.8 milionë euro do ti investojnë në rritjen e prodhimtarisë primare në sektorin e blegtorisë dhe shpezëtarisë, si dhe 2 milionë euro në përpunimin dhe procesimin e produkteve blegtorale.
Ndryshe, përmes masës për investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore të sektorit të qumështit, mishit dhe vezëve, fermerët do të mbështeten në ndërtimin dhe riparimin e fermave të tyre, në infrastrukturën përcjellëse, në investimet në pajisje për rritje të zogjve njëditor, në pajisje eficiente për energji ose riprodhim të energjisë në fermë nga burimet e ripërtëritshme, në modernizimin e sistemit të ushqimit dhe furnizimit me ujë, në makineri bujqësore dhe pajisje për kultivim të bimëve foragjere, drithërave, etj.
Krahas kësaj, shpezëtarët do të mbështeten edhe në investimet e tyre në kafaze, vetëm sipas standardeve të BE-së, në investimet për prodhimin e ushqimit të koncentruar të shpezëve me kapacitet, i cili së paku 50 për qind do të përdoret për nevoja të fermës.
Ndërsa, intensiteti total i përkrahjes publike mund të jetë deri në 60% të shpenzimeve të pranueshme të investimit, ku përkrahje shtesë prej 5 për qind do të jepet për investimet e fermerëve të rinj.
Ndërsa, përkrahje shtesë prej 10 për qind do të jepet për investimet e fermerëve në viset malore dhe për investimet në gropë septike për mbrojtje të mjedisit.