310 mijë euro për subvencionimin e stoqeve të verës
Prishtinë, 5 tetor - Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, sot në Entin e Vreshtave dhe Verërave në Rahovec, ua ka kumtuar vendimin për rimbursimin e akcizës së verërave përmes subvencionimit të stoqeve 14 kompanive prodhuese të verës, të cilat do të përfitojnë gjithsej 310,618 euro.
Stavileci tha se vendimin për rimbursimin e akcizës përmes subvencionimit të stoqeve të verës, e kanë marrë pasi që kompanitë prodhuese të verës po bëjnë pranimin e prodhimtarisë së rrushit të sivjetmë.
E realizuam marrëveshjen, që kemi pasur me Shoqatën e Verërave Enologjia. Kjo përkrahje do të ndikojë në organizimin e stoqeve të verës dhe në ruajtjen e kualitetit të verës së prodhuar në tërë regjionin vreshtar të vendit, tha Stavileci.
Ai tha se për të rimbursuar akcizën përmes subvencionimit të stoqeve të verës kanë ndarë mbi 310 mijë euro dhe procesi për ekzekutimin e pjesës së parë të mjeteve do të filloj menjëherë, kurse pjesa e dytë do të ekzekutohet deri në fund të këtij viti.
Si masë shtesë për vitin e ardhshëm, do të jetë edhe subvencionimi për hektarë i sipërfaqeve të rrushit, tha Stavileci.
Ndërsa, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, vlerësoi se kjo përkrahje financiare e Ministrisë së Bujqësisë dhe pajisjet teknologjike, të cilat po dhurohen nga donatorët e huaj, po krijojnë mundësi që të rriten kapacitetet prodhuese dhe të përmirësohet edhe cilësia e prodhimit të verës.
Unë besoj se përkrahja e ministrisë dhe e organizatave ndërkombëtare, siç është GIZ-i, do të vazhdoj edhe në të ardhmen. Me këtë vendim, Ministria e Bujqësisë ka treguar edhe njëherë interesimin, përkushtimin dhe vullnetin e saj të vazhdueshëm për të mbështetur vreshtarinë dhe verëtarinë në komunën tonë, tha Latifi.
Organizata gjermane GIZ, sot ua ka dhuruar si donacion shoqatës së verëtarëve Enologjia edhe një mbushtore mobile për verë, në vlerë prej rreth 100 mijë euro.
Reinhard Trenkle, udhëheqës i projektit të GIZ-it në Kosovë, tha se kjo aparaturë është një përkrahje e vogël që do të ndikoj në përmirësimin e kualitetit të verës në të ardhmen.
Shuma e përfituesve nga subvencionimi i stoqeve të kompanive prodhuese të verës varet nga pjesëmarrja e tyre në tregun e brendshëm.
Ndërsa, kriter kryesor për subvencionimin e stoqeve të verës, përveç certifikatave të regjistrimit dhe licencave të nevojshme, ka qenë edhe deklarimi i prodhimit vjetor të stoqeve të verës.