2.6 milionë euro për supërmarkete bujqësore
Ndërtimi i këtyre qendrave moderne, po mundësohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila për ndërtimin e tyre ka ndarë 2.6 milionë euro.
Përmes këtyre qendrave, kjo ministri synon të rris qëndrueshmërinë dhe të ndikojë në zgjatjen e jetës së produkteve bujqësore për të furnizuar tregun me prodhime të freskëta gjatë tërë vitit.
E ndërtimi i tyre, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, ju krijon mundësi prodhuesve që të aplikojnë teknologji të reja në tërë zinxhirin e vlerave për pemë, perime dhe rrush tryeze dhe krijon mundësi për eksportin e këtyre produkteve në tregjet e vendeve të rajonit dhe BE-së.
Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, ka deklaruar se krijimi i kushteve që prodhuesit vendor të dalin në treg me produkte bujqësore në pranverën e hershme dhe rritja e qëndrueshmërisë së tyre përmes këtyre qendrave grumbulluese, kapacitetet e të cilave janë në përputhje me kapacitetet prodhuese të këtyre rajoneve, do të vazhdojë të nxis rritjen e prodhimtarisë për të zëvendësuar produktet e importit.
Shumica e fermave janë të vogla dhe prodhimtaria e tyre shërben për plotësimin e nevojave të familjes, derisa tepricën ato arrijnë ta shesin vetëm në tregjet rurale apo urbane.
Qasje në treg ka qenë e kufizuar për shitësit me shumicë dhe supermarketet si pasojë e sasive të vogla dhe furnizimit me periudha të kufizuara të ruajtjes, shpeshherë prodhuesit vendor nuk i kanë marrë si ofertues serioz, prandaj këto qendra do të shërbejnë edhe si tregje bujqësore, si supërmarkete të mëdha bujqësore për të gjithë tregtarët me shumicë dhe pakicë, ka theksuar zëdhënësi Behramaj.
Ai tregoi se kufiri më lartë i shpenzimeve të pranueshme për ndërtimin e një qendre është 2 milionë euro dhe Ministria e Bujqësisë mbulon investimin deri në masën 50 përqind.
Granti investiv për ndërtimin e një qendre grumbulluese mund të arrijë deri në 1 milion euro, sqaron Behramaj.
Në këto tri qendra grumbulluese me kapacitete të mëdha, fermerët do të kenë mundësi që prodhimet e tyre bujqësore ti ruajnë të freskëta, gjë e cila do të ndikojë në një tregtim të suksesshëm të tyre.
Qendra grumbulluese në rajonin e Dukagjinit do të ketë sipërfaqe prej 3085 m², ajo në rajonin e Pashtrikut 2050 m², ndërsa sipërfaqja e qendrës grumbulluese në rajonin e Anamoravës do të jetë 2740 m².