2137 fermerë aplikojnë për grante në Ministrinë e Bujqësisë
Prishtinë, 14 prill - Është mbyllur të premten afati i aplikimit për projekte zhvillimore/ grante nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe numri i përgjithshëm i aplikimeve është 2137.
Nga numri i përgjithshëm, aplikimi nëpër regjione është si: Prishtina: 562, Prizreni 535, Mitrovica 282, Peja 251, Ferizaj 188, Gjilani 186, Gjakova 133.
Buxheti total që do të jepet për grante sivjet është planifikuar 20 milionë euro. Në Masën 101 investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore janë planifikuar 11 milionë euro.
Në Masën 103 Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore, janë planifikuar 5 milionë euro.
Në Masën 302 Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve janë planifikuar 1.5 milionë euro.
Ndërkaq në Masën e Ujitjes së tokave bujqësore janë planifikuar 2 milionë euro.
Nga java e ardhshme, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) do të fillojë me vlerësimin e projekteve, bazuar edhe në kriteret e publikuara para dy muajve, e që janë edhe tani publike në uebfaqen e ministrisë. MBZHR-ja do të informojë fermerët për hapat e tjerë që do të ndërmarrë.
Ndryshe, aplikimi për skemën e pagesave direkte/ subvencioneve, me kërkesë edhe të fermerëve dhe drejtorive komunale, është zgjatur deri më 20 prill 2015.