23 Dhjetor 2024

18 milionë euro import të mishit nga Brazili

Prishtinë, 27 mars - Brazili vazhdon të qëndrojë në krye të listës së eksportuesve më të mëdhenj të mishit në Kosovë.

Sipas statistikave të Doganave të Kosovës, gjatë vitit 2012 nga Brazili janë importuar 9.5 milionë kilogram mish, baza doganore e të cilit është 18 milionë euro.

Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se një kilogram mish nga Brazili është vlerësuar më pak se 2 euro.

Për dallim nga Brazili, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës importohet sasi më e madhe e mishit, ndonëse baza doganore është më e ulët, pasi që kryesisht importohet mish pule.

Gjatë vitit të kaluar nga SHBA-të janë importuar 16.4 milionë kilogram mish, baza doganore e të cilit është 17.8 milionë euro.

Nga shtetet e Evropës më së shumti mish importohet nga Holanda, përkatësisht 1.8 milionë kilogram, me vlerë të përgjithshme prej 2.5 milionë euro, 1.5 milionë kilogram janë importuar nga Italia, baza doganore e së cilit është 1.1 milionë euro, 1.3 milionë kilogram nga Gjermania me bazë doganore 1.1 milionë euro.

“Gjatë gjithë vitit 2012 janë importuar në Kosovë rreth 38.5 milionë kilogram mish, baza doganore e të cilit arrin në 52 milionë euro”, ka pohuar për “Zërin” Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave.

Në anën tjetër, Adil Behramaj, zëdhënës në Ministrinë e Bujqësisë, thotë për gazetën se Ministria për herë të parë sivjet është duke investuar edhe në industrinë prodhuese dhe përpunuese të mishit.

Sipas tij, për të mbështetur këtë industri janë planifikuar të ndahen 1.7 milionë euro, ku me rreth 700 mijë euro do të mbështetet ndërtimi dhe kompletimi me infrastrukturë të brendshme i stallave për trashjen e viçave dhe rritjen e zogjve për mish.

Ndërsa me 1 milion euro do të përkrahet rritja e kapaciteteve përpunuese në industrinë e mishit, duke zbatuar teknologjitë moderne për përmirësimin e standardeve vendore në përpunim.

Ai ka shtuar se aktualisht mishi i kuq, sidomos ai i viçit është prodhim më i popullarizuar dhe ofron mundësi reale për zëvendësimin e importit.

Nevojat konsumuese për kokë banori sillen mesatarisht prej 40-46 kilogram mish, derisa me prodhimtarinë e brendshme vlerësohet se i përmbushim vetëm rreth 50 për qind të këtyre nevojave. Në Kosovë, sipas të dhënave nga popullacioni i gjedhit në vit theren 105 mijë-120 mijë krerë, prej të cilave 80 – 85 për qind janë viça dhe kategori tjera dhe 12 - 15 për qind janë lopë të shkarkuara nga prodhimtaria e qumështit.

“Bazuar në konsumimin total të mishit, të dhënat tregojnë se mishi i shpezëve është kategori kryesore me rreth 47 për qind, i përcjellë me mish viçi rreth 46 për qind, mish derri 5 për qind dhe mish të dhenve rreth 1 për qind të konsumimit të përgjithshëm të mishit”, ka potencuar ai.

Ndërkaq, industria prodhuese dhe përpunuese e mishit në vendin tonë numëron 30 përpunues të mishit dhe 37 thertore për therjen e kafshëve.

Importi i mishit vitin e kaluar

Brazil -18 mil. Euro
SHBA -17.8 mil. Euro
Holandë- 2.5 milionë euro
Itali – 1.1 milionë euro
Gjermani -1.1 milionë euro

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)