1.5 milionë euro për turizëm dhe përpunimin e produkteve bujqësore
Prishtinë, 16 mars - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural sivjet në kuadër të masave të saj mbështetëse ka paraparë edhe përkrahjen financiare të këtyre veprimtarive përmes granteve investive, ku tashmë është hapur edhe thirrja për aplikim për projektet e kësaj natyre.
Nëse keni menduar ndonjëherë të hapni një bujtinë, shteg të biçikletave apo të merreni me përpunimin e produkteve bujqësore, si speca turshi e ajvar, atëherë tash keni një mundësi shumë të mirë.
Në programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të këtij viti, përmes masës 302 Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve, Ministria e Bujqësisë fokusin kryesor e ka vënë në zhvillimin e turizmit rural dhe vetëpunësimin në këto zona.
Në kuadër të kësaj mase, banorët e zonave rurale dhe malore mund të aplikojnë për mbështetje të projekteve që ndërlidhen me prodhimin, përpunimin dhe marketingun e mjaltës, grumbullimin dhe përpunimin e prodhimeve jodrusore të malit dhe marketingun e tyre ( siç janë: bimët mjekuese dhe aromatike, frutat pyjorë dhe kërpudhat e grumbulluara). Pastaj projektet për përpunimin e prodhimeve bujqësore (të kultivuara) dhe marketingun e tyre (siç janë: perimet, frutat, erëzat, bimët mjekuese, kërpudhat, qumështi, mushti, vera, rakia nga rrushi dhe nga fruta të tjerë, prodhimi i uthullës, përpunimi i brumërave).
Po ashtu, në kuadër të kësaj mase do të përkrahet edhe zhvillimi i aktiviteteve artizanale dhe marketingu i tyre siç janë përpunimi i tekstilit, lëkurës, leshit; përpunimi i drurit, punët e dorës, si përgatitja e kostumeve tradicionale, thurja e veshmbathjeve tradicionale, prodhimi i pëlhurave të thurura dhe të endura, qëndisja / thurja e qilimave dhe sixhadeve, përgatitja e bizhuterive të ndryshme, përpunimi i lëkurave dhe aktivitetet e tjera që janë punë artizanale.
Gjithashtu, MBPZhR-ja sivjet përmes kësaj mase, do të mbështes edhe zhvillimin turizmit rural dhe turizmit në fermë, që nënkupton hapjen e bujtinave, shtigje të biçikletave e aspekte të tjera që lidhen me këtë fushë.
Ndryshe, për mbështetjen e projekteve të kësaj mase janë planifikuar 1.5 milionë euro, ndërkaq vlera minimale e projektit që aplikon është 5,000 euro, kurse ajo maksimalja është 30,000 euro, përveç për nënmasën e zhvillimit të turizmit rural ku vlera maksimale është 50,000 euro.
E në rast se projekti ju aprovohet, atëherë 65 për qind të kësaj shume do ta mbështes ministria përmes grantit investiv. Detajet tjera që ndërlidhen me projektet e kësaj mase dhe kushtet për aplikim janë të specifikuara në Programin dhe udhëzuesin përkatës, e të cilat janë publike në uebfaqen e ministrisë.