1.2 milion për pemëtari
E shtimin e sipërfaqeve për prodhimtarinë e këtyre frutave dhe modernizimin e infrastrukturës në pemishtet ekzistuese, Ministria e Bujqësisë sivjet do ta mbështes me 1.2 milion euro.
Kultivuesi i mollës dhe dredhëzës, Blerim Shefkiu, nga komuna e Gjilanit, ka deklaruar se mbështetja e ministrisë në këtë sektor është e domosdoshme. Nga viti 2002 kam arritur ti zgjerojë sipërfaqet me mollë dhe aktualisht këtë pemë e kultivojë në një sipërfaqe prej 3.1 hektarësh. Por, gjatë kësaj kohe nuk kam arritur që ta kompletojë edhe infrastrukturën e nevojshme për pemishte dhe mbështetja financiare e ministrisë, do të ishte një ndihmesë shumë e madhe për mua, ka pohuar pemëtari Shefkiu.
Kurse zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, ka deklaruar se prioritet i këtij institucioni vazhdon të mbetet rritja e sipërfaqeve të mbjella. Adil Behramaj, zëdhënës në këtë ministri, ka theksuar se objektiv i kësaj përkrahje është rritja e sipërfaqeve me mollë, dredhëz, manaferrë, mjedër dhe përmirësimi i cilësisë dhe shumëllojshmërisë së pemishteve.
Ngritja e pemishteve të reja me mollë përkrahet me 700 mijë euro. Infrastruktura e pemishteve me mollë do të përkrahet me 200 mijë euro, ndërsa ngritja e sipërfaqeve të reja me dredhëz, mjedër dhe manaferrë do të përkrahet me 300 mijë euro, ka pohuar Behramaj, duke shtuar se pemëtarinë sivjet do ta përkrahin me gjithsej 1.2 milion euro.
Ai ka bërë me dije se për të gjithë fermerët që duan të aplikojnë për të përfituar nga përkrahja që Ministria e Bujqësisë po ofron përmes granteve investive, afati për aplikim është shtyrë deri me 29 prill.
Ndryshe, për ngritjen e pemishtes prej 1 ari me mollë, investimi maksimal i pranueshëm është 120 euro, kurse për pemishte prej 50 hektarësh, investimi maksimal i pranueshëm arrin deri në 60 mijë euro.
Ndërkaq, për ngritjen e pemishtes prej 1 ari me dredhëz, mjedër dhe manaferrë, investimi maksimal i pranueshëm është 150 euro, kurse për ngritjen e 2 hektarëve me këto pemishte, investimi arrin deri në 30 mijë euro.