1000 euro për vreshtarë, 300 euro për perimtarë
Prishtinë, 30 prill - Njëzet e tre kultura perimore do të subvencionohen me nga 300 euro për çdo hektarë të mbjellë, derisa çdo hektarë i mbjellë me vreshta do të subvencionohet me nga 1000 euro.
Këto vendime të kryeministrit Thaçi, tashmë kanë filluar të zbatohen nga Ministria e Bujqësisë. Kjo u bë e ditur sot nga ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, i cili tregoi se perimet në fushë të hapur sivjet subvencionohen për herë të parë dhe se tash pothuajse nuk ka mbetur asnjë nënsektorë i bujqësisë dhe blegtorisë, i cili nuk po përkrahet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Qeveria e Kosovës.
Këto janë skemat e reja të subvencionimit, si rezultat i zotimeve dhe vendimeve të reja qeveritare, të cilat i kemi marrë në dobi të fermerëve vendorë. Siç jeni në dijeni, ne edhe në kuadër të planit për vitin 2014 kemi përfshirë pothuajse të gjithë sektorët dhe nënsektorët e bujqësisë\", ka theksuar ai.
Sipa tij Por, ne tash kemi shkuar edhe disa hapa më tutje, sepse kemi përfshirë edhe disa kategori, të cilat kanë qenë përfituese në kuadër të skemave tona të grantimit më herët, por kemi bërë një ndryshim për tiu dalur në ndihmë të gjithë fermerëve në Kosovë, duke rritur përkrahjen dhe duke subvencionuar tash në çdo hektarë të sipërfaqeve të mbjella edhe kultivuesit e 23 kulturave perimore në fushë të hapur, tha ministri Stavileci.
Ai tregoi se janë në proces të shpalljes edhe të programeve të tjera për nënsektorët e tjerë, ndërkaq, në kuadër të planit të punës brenda muajit të ardhshëm do të bëjnë edhe pagesën e këstit të parë për perimtarët dhe vreshtarët.
Ndryshe, perimet e kultivuara në fushë të hapur, të cilat do të subvencionohen me nga 300 euro në vitin 2014 janë patatja, domatja, patligjani i zi, speci, kungulli i misirit, kungulli, trangulli, shalqiri, pjepri, lakra, lulelakra, spinaqi, marulla, pangjari, majdanozi, preshi, qepa, rrepka, hudhra, fasulja, bizelja, karota, etj.
Ndërsa, vreshtarët që kanë të mbjellë nga 0.10 hektarë deri 100 hektarë me vreshta do të subvencionohen me nga 1000 euro për hektarë, kurse ata që kanë të mbjellë vreshta mbi 100 hektarë do të subvencionohen me nga 300 euro për hektarë.
Përmes subvencioneve do të mbështeten edhe qumështarët, të cilët deri më 3 maj mund të aplikojnë për të përfituar subvencione për çdo litër qumështi të dorëzuar sipas kategorive të cilësisë.
Gjithashtu, në këtë fazë do të subvencionohen edhe bletarët me nga 10 euro për zgjoje bletësh, por edhe mbarështuesit e bagëtisë.
Këta të fundit, për lopë dhe buallica qumështore do të subvencionohen me nga 50 euro për krerë, për dele dhe dhi qumështore me nga 10 euro për krerë dhe për dosa për riprodhim me nga 20 euro për krerë.