22 Dhjetor 2024

1 miliardë njerëz në botë nuk e kanë të sigurtë ushqimin

Madison, 31 mars - Sistemi i ushqimit në botë nuk është i balancuar, një situatë kjo e rrezikshme, sipas një grupi studjuesish të njohur të bujqësisë.

Ata thonë se problemet e sigurisë së ushqimeve do të shtohen me rritjen e popullsisë dhe me ndryshimet klimatike.

Në një raport të ri të publikuar para një konference me këtë temë verën e këtij viti, ekspertët japin një hartë të ushqyerjes së botës në kushtet e ngrohjes globale.

Raporti i ri i shkruar nga një grup ekspertësh nga 13 vende të botës thekson ndërlikimin e kontradiktave në situatën e sotme të ushqimit në botë.

Molly Jahn, anëtare e Komisionit për një Bujqësi të Qëndrueshme dhe Ndryshime Klimatike dhe agronome në Universitetin e Wisconsinit, në Madison, thekson mungesën e balancës bazë të ushqyerjes së popullsisë.

“Ne kemi 1 miliardë njerëz në planetin tonë që nuk e kanë të sigurtë ushqimin dhe një milliardë të tjerë që janë të ushqyer keq.”

Jahn thotë se në të njëjtën kohë, një e treta e ushqimeve të prodhuara për t’u konsumuar nga njerëzit humbet kot. Ndërkohë, prodhimi bujqësor është një nga kontribuesit kryesorë tek ndryshimet klimatike, duke shkaktuar më tepër shkatërrimin e të mbjellave për shkak të motit ekstrem.

Në kushtet kur deri në vitin 2050 numri popullsisë do të rritet me rreth 2 miliardë banorë të tjerë, dhe kur popullsitë e vendeve të pasura sigurojnë ushqime të zgjedhura, komisioni e ekspertëve thotë se presioni tek sistemi i ushqimit rrezikon të jetë më i madh se sa mundësitë e planetit tonë.

Molly Jahn thotë se raporti i ri jep një numër zgjidhjesh për arritjen e sigurimit të ushqimeve, për të patur deri në mesin e shekullit dhe se kjo përfshin veprime në të gjitha nivelet.

“Këto masa përfshijnë sigurimin e një prodhimi me cilësi më të mire, si dhe mënyrën e menaxhimit, përfshirë tregtimin e prodhimeve.”

Raporti rekomandon rritjen e prodhimit të fermerëve të vegjël për të shtuar sasinë e ushqimeve dhe për të pakësuar varfërinë.

Por prodhimi duhet të rritet pa dëmtuar më tej mjedisin tonë tashmë të prekur nga këto ndryshime, thuhet në raport. Kjo do të thotë shtimin e ushqimeve pa bërë shpyllëzime, ose pa përdorimin e plehrave kimike, që ndikojnë tek ndryshimet klimatike.

Në raport po ashtu thuhet se nevoja për ushqime mund të pakësohet duke shkurtuar humbjen kot të ushqimeve dhe duke nxitur ushqyerjen e njerëzve me dieta më të shëndetshme  me më pak mish.

Raporti shoqërohet me pika të veçanta rekomandimesh pas studimeve që janë bërë me vende të ndryshme, që nga Bangladeshi e deri tek Brazili.

Për t’i vënë në jetë këto rekomandime do të duhet një përkushtim më i madh nga të gjithë, që nga formuluesit e politikave e deri tek sektori privat, thekson raporti, si dhe nevojitet një investim shumë më i madh për një bujqësi të qëndrueshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)