Zukorliq: Duam autonomi për Sanxhakun
Prishtinë, 11 dhjetor - Myftiu i Bashkësisë Islame në Serbi, Muamer Zukorliq, në një intervistë për Epokën e re ka thënë se gjendja e popullit boshnjak në Sanxhak nuk është e mirë. Sipas tij, territori i Sanxhakut akoma është i lënë pas dore nga të gjitha programet zhvillimore.
Myftiu Zukorliq, ka thënë se presin nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga ShBA-të dhe BE-ja, që në përputhje me proklamimin e politikave që bëjnë për të drejtat e njeriut dhe për angazhimin e tyre për stabilitetin e rajonit ta japin përkrahjen e tyre edhe për zgjidhjen e të drejtave të popullit boshnjak në Sanxhak.
Myftiu Zukorliq ka propozuar konceptin për autonomi të Sanxhakut si një zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Ne jemi të vetëdijshëm se pavarësia, pavarësisht rrethanave, nuk realizohet pa luftë si dhe pa viktima, prandaj edhe nuk jemi për luftë, por e propozojmë konceptin për autonomi të Sanxhakut si një zgjidhje të pranueshme për të gjithë.
Pra, edhe për Sanxhakun, duke ia dhënë atij ndjenjën e sigurisë, ndjenjën e mundësisë për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive në të gjitha fushat, si dhe në anën tjetër nuk rrezikohet integriteti shtetëror i Serbisë dhe Malit të Zi, vende këto në të cilat gjeografikisht shtrihet Sanxhaku, ka thënë Zukorliq.
Ai ka thënë se nuk do të heqin dorë nga të drejtat e tyre. Pavarësisht ka apo nuk ka mirëkuptim nga Beogradi dhe Podgorica ne kemi rrugën tonë duke qenë të vetëdijshëm se të drejtat nuk falen, por ato fitohen dhe realizohen. Edhe ne do ti fitojmë të drejtat tona dhe do të realizojmë lirinë tonë. Në asnjë moment nuk do të tërhiqemi, ka thënë Zukorliq.