Zuckerberg u bë filantropi më i madh i SHBA-së
Kaliforni, 13 shkurt - Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, dhe bashkëshortja e tij, Priscilla Chan, u bënë filantropët më bujarë të SHBA-së në vitin 2013, sipas versionit të revistës \"Chronicle of Philanthropy\".
Çifti i dhuroi 18 milionë aksione të rrjetit social Fondacionit \"Silicon Valley\", i cili jep grante për financimin e projekteve perspektive në fushat e sigurisë ekonomike, arsimit, planifikimit rajonal dhe integrimit të emigrantëve.
Donacionet, shuma e të cilave është vlerësuar në më tepër se 970 milionë $, ishin më impresionueset për vitin 2013 në Shtetet e Bashkuara.
Zuckerberg dhe Chan kanë lënë pas vetes tashmë filantropë të tillë si Bill dhe Melinda Gates.