Zjarri në Australi po qetësohet falë ndryshimit të motit
Wells, 13 janar - Ekipet që po luftojnë kundër zjarreve në Australi, thonë se kanë arritur të kthehen "nga mbrojtja në sulm" për herë të parë në disa javë.
Zjarrfikësit kanë prerë pemë të vogla ose kanë djegur shkurre përgjatë rrugës së parashikuar të zjarrit, për ta ndaluar atë të shkojë më larg.
Dale McLean, që po ndihmon në menaxhimin e reagimit ndaj një zjarri afër Bodalla-s në Wellsin e Ri Jugor, thotë se zjarri po qetësohet falë ndryshimit të motit.
"Zjarri ka ndryshuar, kështu që ne kemi arritur të kalojmë para tij tani dhe të hidhemi në sulm. Ne po bëjmë gati shtigjet dhe po përgatitemi për të bërë djegie të kontrolluara. Në dy ditët e fundit kemi qenë në gjendje të kryejmë me sukses disa djegie të kontrolluara dhe kjo na jep kontroll mbi këtë anë të zjarrit. Dhe kjo është ajo që do të bëjmë gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa moti është në anën tonë."
Moti pritet të jetë në përgjithësi i favorshëm këtë javë, megjithëse çdo përkeqësim i tij mund të bëjë që flakët të ndizen përsëri.
McLean vëren se ata do të bëjnë sa munden për të parandaluar që zjarri të arrijë në zonat me popullsi të dendur:
"Nëse nuk e shuajmë zjarrin, do të kthehemi përsëri te Autostrada e Princeshës, dhe do të humbim shumë më tepër pyll, shto edhe faktin që kjo pa dyshim do ta afronte zjarrin më pranë qendrave të banuara. Prandaj, është mjaft e rëndësishme që ta shuajmë këtë zjarr. Kemi një mundësi që ta shuajmë atë në pyll."
Zjarret në Australi kanë shkaktuar mbi 20 të vdekur dhe kanë shkatërruar mijëra shtëpi që nga shtatori.