Zhbogar sot nis punën në Kosovë
Prishtinë, 1 shkurt - Ish ministri i jashtëm slloven, Samuel Zhbogar sot ka filluar zyrtarisht punën e tij si Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënës i zyrës së përfaqësueses së lartë për politikë të Jashtme, Cathrin Ashton.
Ai do të jetë njëherësh përfaqësuesi i BE-së dhe shef i Zyrës së BE-së për Kosovën e cila është në kompetencë të përfaqësueses së lartë të BE, Catherine Ashton.
Në disa deklarata për mediat sllovene, Zhbogar ka deklaruar se do të angazhohet për ngritjen dhe forcimin e institucioneve të Kosovës.
Ai ka thënë se tani është momenti i duhur që të arrihet përparim në dialogun e Prishtinës dhe Beogradit dhe se për këtë qëllim Bashkimi Evropian ka ndarë në sasi mjetesh për serbët në veri.
Lidhur me zhvillimet në veri, Zhbogar ka thënë se është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të bëjë një program gjithëpërfshirës për atë rajon në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian nga tetori i vitit të shkuar.
Ndërkaq duke folur për referendumin e paralajmëruar nga serbët në veri, përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar ka thënë se nuk i ndihmon zvogëlimit të tensionit, gjë për të cilën Komisioni Evropian është angazhuar madje duke ndarë mjete të rëndësishme për veriun Kosovës që do të ndikonte në uljen e tensioneve në mënyrë që të rregullojmë gjëra më të rëndësishme, ka thënë ai.