Zgjedhjet lokale në Maqedoni, më 24 mars
Shkup, 12 janar - Zgjedhjet lokale në Maqedoni zyrtarisht do të mbahen më 24 mars të këtij viti.
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski sot nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar komunash dhe këshilltarë komunal. Vendimi u nënshkrua në përputhje me afatet e parapara me Kodin zgjedhor.
Vendimi i kreu të Parlamentit pritet ti dorëzohet Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, si organ për organizimin e zgjedhjeve.
Kryeparlamentari Veljanovski sot i bëri thirrje të gjitha partive që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të respektojnë procesin e zgjedhjeve në përputhje me rregullat kushtetuese.
Ndërkohë, pas shpalljes së vendimit, ka reaguar partia më e madhe opozitare maqedonase LSDM. Partitë opozitare maqedonase kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në pako me ato parlamentare, mirëpo paraprakisht duke arritur një marrëveshje kompromisi midis partive politike lidhur me përmbushjen e disa kushteve për të marrë pjesë në zgjedhje.
Deri më 24 mars kur kryeparlamentari Veljanovski vendosi shpalljen e zgjedhjeve ka shumë kohë për tu arritur marrëveshje politike për ndërprerjen e krizës dhe njëkohësisht mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe atyre të parakohshme parlamentare.
Partitë opozitare maqedonase nënvizuan se nuk ka alternativë tjetër, pasi që sipas tyre kjo qeverisje nuk ka legjitimtet dhe ka suspenduar demokracinë në vend. Partitë politike shqiptare kanë theksuar njëzëri se do të jenë pjesë e zgjedhjeve lokale, duke bërë thirrje për zgjedhje korrekte dhe demokratike