10 Janar 2025

Zgjedhja e Nikoliçit në krye të Serbisë “mobilizon” NATO-n

Chicago, 28 maj - Zgjedhja e presidentit të ri të Serbisë ka qenë një nga temat e samitit të NATO-s, i cili është zhvilluar në Chicago, ka konfirmuar për gazetën kroate “Jutarnji List” ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusic.

Edhe pse në axhendë kanë qenë dy tema dominuese, më saktë situata në Afganistan dhe marrëdhëniet me partnerët e aleancës, tema e zgjerimit të NATO-s është imponuar vetvetiu, pasi u bë i ditur lajmi se president i Serbisë është zgjedhur nacionalisti radikal, shkruan Jutarnji List.

Pas bisedave joformale dhe shkëmbimit të mendimeve, u nxorr përfundimi se me zgjedhjen e Nikolicit mund të ketë ndryshime serioze në Serbi, por mund të krijohet një situatë e re edhe në gjithë rajonin.
 
“Në nivelin e ministrave të Jashtëm u organizua takimi me shtetet që pretendojnë anëtarësimin në aleancë: me Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë dhe Gjeorgjinë. Gjatë paraqitjes time tërhoqa vërejtjen se në rajon, me zgjedhjen e Nikolicit, është krijuar një situatë e re dhe se natyrisht se nuk dihet se cilat do të jenë pasojat e ndryshimit të pushtetit në Serbi dhe shtova se kjo situatë e re kërkon që edhe në samitin e Chicagos të bisedohet për çështjen e zgjerimit. Kroacia e mbështet idenë e anëtarësimit të Bosnjës, Maqedonisë dhe Malit të Zi në NATO, pasi jemi të sigurt se pranimi i tyre do `’i kontribuojë stabilizimit të gjendjes dhe sigurisë së rajonit”, theksoi Pusic.

E pyetur se çfarë ndikimi do të kenë zgjedhjet në Serbi në marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Serbisë, Pusic u përgjigj: “Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një hapësirë të vogël, e cila gjatë historisë ka qenë e lidhur në mënyra të ndryshme, është e qartë se ngjarjet në një shtet kanë ndikim edhe në shtetet tjera në rajon.\"

\"Është vështirë të parashikohet tani se si do të zhvillohen gjërat, por për një gjë jam e sigurt dhe mund të them se ndryshimi i pushtetit në Serbi do të ketë ndikim më të madh në shtetet fqinje, se sa për vetë Serbinë. Serbia, të paktën ashtu siç po theksohet, do të vazhdojë procesin e afrimit me BE-në, por çështja është se si do të sillet pushteti i ri ndaj Malit të Zi dhe Bosnjës, por edhe ndaj Kroacisë”.

Pusic theksoi se për Kroacinë janë shokuese dhe të papranueshme deklaratat e para, të cilat Nikolic bëri si president i Serbisë.

“Deklaratat e para të presidentit të porsazgjedhur të Serbisë, të bëra gjatë bisedës me gazetaren e gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, për Kroacinë janë mjaft shokuese dhe të papranueshme. Kroacia dhe Serbia, nëse ia duan të mirën qytetarëve të tyre, si dy shtete fqinje duhet të jenë në gjendje të bashkëpunojnë mes tyre.\"

\"Por, për këtë nevojitet vullneti dhe aftësia e të dy palëve. Ndoshta edhe duhet të pritet të qetësohen emocionet paszgjedhore dhe formimi i qeverisë së re të Serbisë”, nënvizoi ministrja e Jashtme e Kroacisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)