Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri viziton Katarin
Doha, 29 janar - Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, e cila po qëndron në një vizitë zyrtare në Doha, është pritur në Qeverinë e Katarit nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Shtetit për Këshillin e Punëve të Ministrave, Shkëlqesia e Tij, Ahmed Bin Abdullah Bin Zaid Al-Mahmoud.
Në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve si dhe janë diskutuar mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri fillimisht ka shprehur falënderimet për Qeverinë e Katarit për njohjen e shtetit të Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme në aspektet diplomatike. Ajo falënderoi personalisht zëvendëskryeministrin Al-Mahmoud për angazhimin e tij në kohën kur ishte ministër i Jashtëm, e kur edhe zyrtarisht Katari njohu Kosovën.
Në vazhdim biseda u fokusua në mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve me theks të veçantë në bashkëpunimin diplomatik dhe ekonomik, si dhe u konfirmua gatishmëria dypalëshe për një bashkëpunim sa më të ngushtë në të ardhmen. Të dy zëvendëskryeministrat u pajtuan që të intensifikohen vizitat dhe të identifikohen projektet e ekonomike për investimet në Kosovë.
Në planin diplomatik, zëvendëskryeministrja Tahiri kërkoi mbështetjen e Katarit për rritjen e njohjeve për Kosovën.
Zëvendëskryeministri Al-Mahmoud siguroi se Qeveria e Katarit si edhe deri më tani do të vazhdojë ta mbështesë shtetin e Kosovës në planin diplomatik, duke thënë se Kosova dhe populli i saj meritojnë një përkrahje të tillë.
Gjatë qëndrimit në Doha, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare për fuqizimin e grave, të organizuar nga Qeveria amerikane dhe organizata Women Democracy Network.
Në këtë Konferencë me temën Rezoluta 1325 dhe gratë në paqe, siguri dhe vendimmarrje, zonja Tahiri foli për përvojat e grave në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës duke vlerësuar lartë rolin e grave në historinë e krijimit të shtetit të Kosovës.