Zaoralek: Nuk mund të tërhiqet paralele mes Kosovës dhe Krimesë
Pragë, 11 mars - Krahasimin e Kosovës me çështjen e Gadishullit të Krimesë në Ukrainë, e ka kundërshtuar Ministri i Jashtëm i Çekisë, Lubomir Zaoralek, duke u shprehur kundër tërheqjes së paraleleve mes Kosovës dhe rajoneve tjera në botë.
Në një të përditshme çeke, Zaoralek ka thënë se në rast se do të tërhiqen paralele të tilla, atëherë nuk do të respektohej asgjë nga e drejta ndërkombëtare.
Nëse fillojmë të përdorim argumente të tilla, se nëse Kosova është shpallur shtet i pavarur, atëherë kjo mund të ndodhë edhe në raste tjera, do të krijojmë një xhungël ku nuk do të funksiononte asgjë, ka thënë Zoralek, citon Beta.
Zaoralek ka thënë se krahasimi në mes të Kosovës dhe Krimes, të cilin e ka bërë Presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman, nuk është edhe aq preciz, pasi që Kosovën nuk e ka okupuar asnjë fuqi botërore, ndërsa në Krime nuk ka pasur dhunë.
Pavarësisht nga të gjitha nuk mund të themi se në qoftë se diçka është lejuar në Kosovë, kurse unë atëherë nuk jam pajtuar me atë zgjidhje, do të lejojmë një proces të tillë edhe në Krime, tha ai.