Xhamajka bëhet shteti i 117 që njeh pavarësinë e Kosovës
Prishtinë, 20 shkurt - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se shteti i Xhamajkës e ka njohur pavarësinë e Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Thaçi në një postim në rrjetet sociale tha se, njohja i është bërë të ditur nga ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Vlora Çitaku.
"Lajm i mrekullueshëm! Sapo u njoftova nga ambasadorja Vlora Çitaku se Xhamajka ka njohur Republikën e Kosovës si sovran dhe të pavarur", shkroi presidenti Thaçi, duke shtuar se ky është një rezultat i punës së madhe dhe lobimeve për vite me radhë.
Xhamajka (Jamaica) është shtet ishullor në detin e Karaibeve. Ajo është ishulli i tretë më i madh i Antileve të Mëdha. Numri i popullsisë arrin në rreth 2,6 milionë banorë. Kryeqytet i Xhamajkës është Kingston me rreth 650 mijë banorë, i cili është edhe porti më i madh detar.
Kosova gjatë vitit 2019 nuk mori asnjë njohje. Para Xhamajkës, njohja e fundit e pavarësisë së Kosovës erdhi nga Barbados, më 15 shkurt të vitit 2018.