Worlik: SHBA nuk po kërkojnë nga Serbia njohjen e Kosovës
Beograd, 9 korrik - Ambasadorja amerikane në Serbi, Mery Worlik ka theksuar sot se SHBA-ja nuk po kërkon nga Serbia njohjen e Kosovës, veçse është qenësore që qeveria e ardhshme sa më shpejtë ta vazhdojë dialogun me Prishtinën, të zbatojë marrëveshjet e arritura dhe të nis të zgjidh çështjet e hapura me të gjithë fqinjët.
Ambasadorja e SHBA-së, Mery Worlik ka thënë se qëllimi është normalizimi i raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
Sapo të formohet qeveria shpresoj se së shpejti do ta vazhdojë dialogun, do ti zbatojë krejt që është dakorduar dhe do të punojë në zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kosovën, ka deklaruar ajo.
Kur është fjala për vizitën e ndihmës-sekretarit amerikan të shtetit, Philip Gordon në Beograd, ambasadorja Worlik ka thënë se ai po qëndron këtu në kuadër të vizitës së gjer të rajonit.
Kjo vizitë, sipas fjalëve të saj, ka qenë rast i shkëlqyeshëm për takime me një numër të madh të zyrtarëve të cilëve Gordon ua ka përcjellë përcaktimin e Qeverisë së SHBA-së për bashkëpunim me Serbinë.
Gjithashtu, siç ka theksuar ajo, temë e bisedimeve ka qenë edhe formimi i qeverisë së re.
Formim i qeverisë është çështje e qytetarëve të Serbisë dhe i përfaqësuesve të tyre të zgjedhur, por shpresojmë se ajo do ti jetë besnike të ardhmes evropiane të vendit dhe do të vazhdojë ti avancojë raportet me fqinjët, zgjidhjen e çështjes së Kosovës, luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit, ka rekomanduar ajo.
Worlik ka nënvizuar se është në interesin e SHBA-së, BE-së dhe Serbisë që të zgjidhen raportet me fqinjët, sepse raportet e mira fqinjësore janë një nga kriteret kryesor të anëtarësim në BE.
Ambasadorja ka vlerësuar se është bërë përparim në dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës, por ka edhe shumë punë drejtë qëllimit të normalizimit. Ambasadorja Vorlik sot ka marrë pjesë në bisedimet që ka zhvilluar nënsekretari Gordon me zyrtarët më të lartë të Serbisë.