Wisner: Serbia duhet ta pranojë realitetin
Prishtinë, 5 gusht - Edhe nëse Beogradi nuk e pranon dhe nuk e legjitimon shtetin e Kosovës, të paktën mund të pranojë realitetin, ky është mendimi i ambasadorit amerikan dhe njohësit të mirë të çështjeve të Ballkanit, Frank Wisner, në lidhje me njërin prej epilogëve të krejt këtij procesi.
Prapa këtyre ngjarjeve qëndron një fakt edhe më i rëndësishëm, që Kosova ka të drejtë nëpërmjet qeverisë së vet të ushtrojë autoritetin e vet në tërë territorin e vendit, të kontrollojë pikat kritike kufitare, të kontrollojë qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve dhe të mbajë përgjegjësi për atë që ndodh në këtë segment. Unë nuk mendoj se autoriteti dhe përgjegjësia e Qeverisë së Kosovës mund të kontestohet. Është shumë e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të marrë kontrollin e plotë të kufijve të vet sepse derisa kjo nuk ndodh kontrabanda do të vazhdojë dhe rendi e ligji do të jenë vështirë të zbatueshëm në tërë territorin e shtetit të ri të Kosovës, ka deklaruar Wisner.
Ai ka thënë se duhet një marrëveshje që i lejon Kosovës të ushtrojë të drejtat e veta dhe autoritetin e saj në territorin e vet, prandaj i ka sugjeruar negociatorët të pranojnë faktin se derisa nuk ka marrëveshje do të ketë edhe më shumë probleme, prandaj, sipas tij, ata duhet të nguten dhe të dalin me një zgjidhje kompromisi dhe kjo nënkupton që Beogradi duhet të punojë shumë se si të gjendet në qasje konstruktive dhe të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Prishtina.
``Edhe kësaj here, si shumë herë më herët do të apeloj te miqtë e mi në Serbi që të ecin përpara dhe të pranojnë se sa më e mirë do të ishte e ardhmja sikur palët të pajtohen dhe të fillojnë të jetojnë së bashku me respekt të ndërsjellë, ka theksuar Wisner. Për të, dështimi në zgjidhjen e një çështjeje thelbësore për pavarësinë e Kosovës, siç është kontrolli i kufijve, ka rezultuar me krizë dhe me humbjen e jetës së një njeriu, ndërsa pret të ndodhin edhe kriza dhe tragjedi të tjera nëse kjo çështje nuk trajtohet me seriozitet dhe nuk zgjidhet. Wisner pohon se kjo krizë duhet të shërbejë si paralajmërim se gjërat mund të përkeqësohen nëse nuk bëhet asgjë.