Wisner: Kosova ka hyrë në rrugën për tu bërë një ditë anëtare e BE
Washington, 26 shkurt - Frank Wisner, ish negociator i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, ka deklaruar se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, është një sinjal se Kosova ka hyrë në rrugën për tu bërë një ditë anëtare e Bashkimit Evropian.
"Kosova në fakt arriti dy marrëveshje, njëra, ka të bëjë me pjesëmarrjen e Kosovës në diskutimet rajonale në Ballkan dhe në Evropë dhe tjetra, po aq sensitive, ka të bëjë me kufirin e Kosovës me Serbinë, ku ka patur trazira", ka theksuar ai.
Me këto marrëveshje sipas Wisner dërgohet një sinjal i fuqishëm për liberalizimin e vizave, pra kosovarët do të mund të udhëtojnë në Evropë dhe përtej saj.
"Ky është gjithashtu një sinjal për Evropën se Kosova ka hyrë në rrugën për tu bërë një ditë anëtare e Bashkimit Evropian. Nëse i merrni të dy këta hapa së bashku, kemi të bëjmë me një lajm të mirë për Kosovën", ka theksuar Wisner.
Ai po ashtu ka vlërsuar se nuk sheh asgjë në marrëveshjen e arritur në Bruksel që të dëmtojë statusin e Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin dhe krenarinë e saj.
Kjo sipas tij është një deklaratë e thjeshtë e faktit, e balancuar me shumë kujdes në terminologjinë teknike dhe juridike me përfundimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se pavarësia e Kosovës u arrit në mënyrë krejtësisht ligjore.
"Fakti real nuk është shënimi në fund të faqes me gërma të vogla, por që Kosova tani do të jetë në tryezë, për të ndihmuar në përcaktimin e së ardhmes së rajonit dhe vendin e vet në rajon."
Kosova sipas tij ecën drejt Bashkimit Evropian dhe kjo do të arrihet hap pas hapi dhe me hapa të dhimbshëm gjatë një periudhe kohe.
"Nuk ka shkop magjik. Pra, ky është njëri nga këta hapa dhe ai prodhon bashkëpunim me Evropën që një ditë do të bëjë të mundur hyrjen në Evropë. Unë nuk pres që Serbia ta njohë Kosovën, por pavarësia e Kosovës është një fakt i kryer, dhe nuk ka kthim prapa. Ajo është e njohur botërisht, është e legjitimuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Pra, ky nuk është problem. Problemi është se si të ecet përpara dhe rruga e vetme për të ecur përpara është në mënyrë bashkëpunuese me Bashkimin Evropian. Hapat që u arritën në Bruksel dje, janë hapa që e vënë Kosovën në rrugën drejt Evropës.", është shprehur Wisner.