Wikileaks: Spanja e ndikuar nga Rusia ndaj Kosovës
SHBA, 1 dhjetor - Në 668 publikimet e web-faqes Wikileaks mbi Kosovën, janë publikuar edhe materiale të tjera konfidenciale.
Kështu një analizë e Departamentit Amerikan të Shtetit e përpiluar në muajin maj të vitit 2007, bazohet në raportin e ambasadës amerikane në Madrid dhe sjell edhe një risi të re rreth qasjes dhe përpjekjeve amerikane për të bindur Spanjën, që të mos e largojë kontingjentin e saj ushtarak të KFOR-it nga Kosova pas krijimit të shtetit kosovar.
Dokumenti thekson se me shërbimin 15 vjeçar në rajonin e Ballkanit, Spanja ka treguar aftësinë e saj për të mbajtur forcat në periudhë të gjatë kohore.
Mirëpo dokumenti më tej thekson se për çështje të natyrës së përgjithshme dhe nga frika e provokuar nga Rusia, Spanja është në hamendje sa i përket drejtimit aktual të politikës ndaj Kosovës.
Gjithsesi raporti potencon se për sa kohë të ketë një rezolutë të OKB-së që autorizon planin e Marti Ahtisaarin, Spanja do të mbajë trupat e saj të KFOR-it në Kosovë.
Megjithatë më tej në raport thuhet se nëse OKB-ja nuk arrin të bie dakord mbi një rezolutë të re, atëherë Spanja do të duhet të mendojë seriozisht për të tërhequr trupat e saj. Gjithnjë sipas dokumentit, Spanja ka theksuar se do ta bëjë këtë vetëm në moment të veçantë dhe vetëm në konsultim të kujdesshëm me aleatët.
Dokumenti amerikan përfundon duke theksuar nevojën për të mbajtur presion mbi Spanjën dhe duke kujtuar rolin e saj të rëndësishëm në NATO.
Nuk mund të lejojmë rusët që të përcajnë SHBA-të dhe Evropën për cështje si kjo, thuhet në fund të korrespondencës së Ambasadorit Amerikan në Madrid drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit në Washington.