Westerwelle viziton pikën kufitare, të Jarinës
Prishtinë, 11 gusht - Ministri i jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, ka vizituar veriun e Kosovës.
Ai është ndalur në vendin e krimit në Jarinje, pikë kufitare kjo e djegur para 2 javësh nga huliganë serbë.
Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, bashkë me komandantin e KFOR-it Erhard Buehler, e ka njoftuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë Guido Westerwelle në portën 1.
Ai e njoftoi ministrin Westerwelle për situatën e tanishme dhe për aktivitetet e KFOR-it dhe EULEX-it në përpjekje për ti ulur tensionet dhe për forcimin e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës. De Marnhac e falënderoi ministrin Westerwelle për përkrahjen që i jep Gjermania EULEX-it.
Pas kësaj vizite, Shefi i EULEX-it Xavier de Marnhac tha: Unë jam mirënjohës për përkrahjen e Ministrit Westerwelle dhe të Gjermanisë për EULEX-in."
"Unë pata rastin ta njoftoj Ministrin lidhur me aktivitetet tona në këtë portë në pjesën veriore të Kosovës. Ne jemi duke punuar bashkë me KFOR-in për ti ulur tensionet dhe për gjetjen e zgjidhjes. Ne i kemi shtuar patrullat tona policore për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët. Ne i kemi filluar hetimet për djegien e portës, për vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe për veprat tjera penale të dy javëve të kaluara. Ky është prioriteti për EULEX-in. Dhuna është e papranueshme dhe ne po punojmë që kryerësit ti sjellim para drejtësisë.
Ministri Westerwelle e falënderoi EULEX-in dhe KFOR-in për punën vigjilente të tyre për parandalimin e përkeqësimit të mëtejmë të situatës.
Dhuna mund të ndizet në çdo kohë, nuk bën të nënçmohet, ka thënë diplomati gjerman në veri.
Sipas tij kjo është një shenjë e rrezikshme. Më herët gjatë ditës, Westerwelle garantoi në Prishtinë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, dhe as ndryshim të kufijve në Ballkan.