Wesly Clark në Shqipëri, kësaj here për investime
Duke falënderuar Kryeministrin Berisha për pritjen, gjenerali Clark u shpreh se impresionohet sa herë që vjen në Shqipëri, me ndryshimet e dukshme dhe të prekshme kudo që ai shkon.
Në këtë kontekst, gjenerali Clark u shpreh se reformat e ndërmarra nga qeveria e shqiptare kanë ngjallur interes të madh tek grupe të njohura biznesi nga Amerika dhe Kanadaja.
Gjenerali Clark ndodhet në Shqipëri për ti prezantuar kryeministrit Berisha një projekt - propozim të rëndësishëm, në fushën e qeverisjes elektronike. Ai u shpreh se ishte njohur me përpjekjet e qeverisë shqiptare, për të përdorur sistemin elektronik në shumë fusha, me qëllim rritjen e transparencës dhe eficencës së veprimtarisë së saj, dhe se projekti që ai propozon është në linjë me reformat e filluara.
Gjatë takimit, Gjenerali Clark i prezantoi Kryeministrit Berisha një sistem elektronik kontrolli dhe menaxhimi të lojërave të fatit, i cili garanton transparence dhe eficencë në procesin e funksionimit të lojërave të fatit, elektronike, si dhe vjeljen reale të taksave nga ky lloj biznesi.
Si rezultat i aplikimit të këtij sistemi rriten më shumë se 100 milion, të ardhurat e pa vjela nga lojërat e fatit on-line, akoma të pakontrollueshme. Ky është një tjetër funksion që rrit transparencën e biznesit ndaj autoriteteve të mbledhjes së taksave dhe që siguron kontrollin e plotë dhe eficent të këtij sektori biznesi.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi gjeneralin Clark për interesin që ai tregon, për mbështetjen e biznesit dhe investimeve te huaja në Shqipëri, si dhe për pjesëmarrjen e tij aktive në bordet drejtuese të këtyre bizneseve në favor të investimeve në Shqipëri. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare, si dhe ajo e Kosovës e vlerësojnë Gjeneralin Wesly Clark, për kontributin e dhënë më parë dhe për kontributin e tanishëm.
Kryeministri i prezantoi gjeneralit Clark situatën e qeverisjes elektronike, reformat e ndërmarra në këtë fushë, si dhe e falënderoi për projekt propozimin, i cili shton kontributet në fushën e shërbimeve dhe veprimeve on-line. Kryeministri u shpreh se projekti do të shqyrtohej dhe vlerësohej konform ligjeve dhe rregullave në fuqi, nga ministritë përkatëse.