Weib kërkon nga Serbia rezultate konkrete në bisedimet me Kosovën
Berlin, 7 shkurt - Në një intervistë për DW, deputeti i kristiandemokrat gjerman, kryetar i grupit parlamentar për Evropën Juglindore, Peter Weib, kërkon nga Beogradi rezultate konkrete në bisedimet me Kosovën.
"Si ne gjermanëve, ashtu edhe evropianëve na brengos situata në veri të Kosovës, së pari sepse e dimë që anëtarët e krimit të organizuar, qofshin ata serbë, shqiptarë apo kriminelë të nacionaliteteve të tjera për aktivitetet e tyre po e shfrytëzojnë intensivisht dhe në të njëjtën masë veriun e Kosovës. Për këtë arsye unë mendoj se ekziston një interes i përbashkët për vendosjen e rendit dhe të kontrollit shtetëror në këtë pjesë të Kosovës", ka thënë Weib.
Së dyti sipas tij Bashkimi Evropian po ndërmjetëson bisedimet teknike mes Serbisë dhe Kosovës, pavarësisht faktit që Serbia nga këndvështrimi i saj nuk mundet dhe nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
"Ne presim si nga qeveria serbe, ashtu edhe nga qeveria kosovare që në çështjet që kanë të bëjnë me bashkëjetesën të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, një modus vivendi, që natyrisht në të ardhmen do të garantonte edhe funksionimin e organeve shtetërore në Kosovë, veçanërisht në veri të saj. Unë vetëm mund të shpresoj që tek të dyja palët të mbizotërojë arsyeja, që është mëse e nevojshme, dhe që ato të jenë në gjendje t'i venë nën kontroll forcat, të cilat e nxisin tani situatën konfliktuoze."
Ai ka thënë së Gjermania i ka bërë të qartë, që Serbia mund të marrë statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian vetëm nëse arrin rezultate konkrete në bisedimet teknike me Kosovën.
Nga ana tjetër sipas Weib edhe Kosova, më saktësisht qeveria e Kosovës e di që pa pjesëmarjen e Serbisë dhe pa qetësimin e situatës në veri, perspektiva evropiane për Kosovën nuk do të hapet as në dekadat që vijnë.
"Pra, nëse Serbia dhe Kosova dëshirojnë që të shkojnë drejt Evropës, atëherë është e domosdoshme një marrëveshje për çështjet e diskutueshme për veriun e Kosovës", ka theksuar Weib.