Weber: Ka kaluar koha e kompromisit Beograd – Prishtinë
Beograd, 11 korrik - Eksperti i Këshillit të Berlinit për politika të demokratizimit, Bodo Weber ka vlerësuar se ka kaluar koha për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmes kompromisit.
Në konferencën “Shqiptarët dhe serbët” organizuar nga agjencia Tanjug dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare, mbajtur në Beograd ai ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nuk mund të bëhet përmes ballafaqimit të shoqërisë serbe me të kaluarën, por me të ardhmen.
"Kosova është e humbur për Serbinë dhe në dialog nuk do të ketë zgjidhje përmes kompromisit, ka thënë Weber. “Kjo shans është humbur nga Serbia në vitin 2011 apo 2013”, theksoi ai.
Weber ka kritikuar ashpër politikën serbe që tash e tre decenie, ka instrumentalizuar çështjen e Kosovës, duke mashtruar opinionin publik, se do ta kthejë procesin në rrugën drejt kompromisit.
Rrëfimi për pajtimin mes dy popujve paraqet një keqpërdorim nga ana e Qeverisë serbe, me qëllim ndarjen e Kosovës, vlerëson Weber.
Sipas tij, marrëveshja mes serbëve dhe shqiptarëve, nuk mund të shkojë përmes rrugës Tiranë – Beograd, por në pjesën më të madhe Prishtinë – Beograd.
Weber, ka theksuar se është më se e nevojshme, që të ketë përparim në procesin e formimit të Asociacionit të Komunave serbe, ndërsa ka kritikuar tendencën për diskutime se kush do të qeverisë me territore dhe jo si të qeveriset.
Me këtë mënyrë të menduarit, duhet thënë se përmes dialogut deri më tani, shqiptarët e Kosovës kanë fituar më së paku, Serbia më së shumti, kurse serbët e Kosovës, pothuaj asgjë, tha Weber.
Eksperti Weber, ka kritikuar edhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili, sië tha Weber “ka tendenca të aktrojë babain e kombit shqiptar”. Ai mund të mësojë nga historia jo e largët e Serbisë se interpretimi i rolit të babait të kombit është një koncept i keq, pasi historia ka treguar se gjithmonë e pësojnë fëmijët dhe jo babai”.