Vulin: Të kthehen 300 mijë serbët e dëbuar nga Kosova
Beograd, 23 tetor - Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka kërkuar sot nga komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë në kthimin e më shumë se 300 mijë serbëve të përndjekur nga Kosova.
Mediat serbe njoftojnë se Vulin ndodhet në New York dhe atje është takuar me zëvendësin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Jan Eliasson.
Sipas tij, Serbia ka përmbushur detyrimet që ka ndërmarrë karshi komunitetit ndërkombëtar dhe tani, siç ka thënë ai, është koha që ky komunitet të veprojë njësoj karshi Serbisë.
Ai ka falënderuar misionin e Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e serbëve në Kosovë, por ka përsëritur se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës ka qenë gabim tragjik.