Vulin sot takon përfaqësuesit serbë në veri
Beograd, 7 mars - Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, do të takojë sot përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Sipas mediave serbe, ai do të vizitojë edhe udhëheqjen e re komunuale në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës dhe më pastaj do tiu drejtohet gazetarëve.
Të mërkurën, në ditën e parë të qëndrimit në Kosovë, Vulin ka thënë se Serbia nuk do një Republika Sërpska në Kosovë, por formimin e një asociacioni, i cili do të kishte kontroll mbi gjykatat, policinë dhe arsimin.
Prishtina zyrtare kundërshton formimin e një asociacioni të tillë me kompetenca legjislative dhe ekzekutive.
Rreth kësaj çështjeje dhe të tjerave po diskutojnë aktualisht në Bruksel kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.