Vulin: Ska serb që dëshiron të jetë në aleancë me Prishtinën
Beograd, 23 tetor - Ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë i angazhuar për Kosovës, Alekasandar Vulin, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që ta dëgjojnë Beogradin dhe të votojnë për Listën e Përbashkët Srpska.
Qeveria e Serbisë ka thënë qartë se e mbështet listën Srpska dhe se kjo listë i ka marrëdhëniet më të mira me Beogradin, është shprehur Vulin, në një intervistë për gazetën beogradase Politika.
Vulin u ka premtuar ndihmë serbëve që do ta dëgjojnë Beogradin. Në qoftë se nga shteti kërkon të të sigurojë një vend pune, edhe atëherë kur nuk ka punë, atëherë dëgjoje shtetin tënd. Tani për Serbinë është e rëndësishme pjesëmarrja në zgjedhje, transmeton qik-u. Shtetin e Serbisë duhet të doni, por edhe ta dëgjoni, ka porositur Vulin serbët e Kosovës.
Vulin nuk e ka fshehur rivalitetin me Partinë e Pavarur Liberale. I pyetur se a ekziston rreziku që në Bashkësinë e Komunave Serbe të mos përfshihen tri komunat jugore, në qoftë se atje fiton SLS, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës të Kosovës, Vulin ka thënë se kjo do të thoshte se në radhët komunitetit serb ekzistojnë dy koncepte krejtësisht të kundërta.
Megjithatë, ai ka shfaqur shpresën se kjo nuk do të ndodhë. Nuk mund ta marr me mend se ka serb që do të thotë se nuk dëshiron të jetë pjesë e Bashkësisë së Komunave Serbe, por dëshiron të jetë në aleancë me Prishtinën, ka thënë ai.