Vuçiq premton investime në veri të Kosovës
Beograd, 22 maj - Nënkryetari i parë i Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka takuar përfaqësuesit serbë të Kosovës, të hënën në Beograd, por pak është biseduar për marrëveshjen e Brukselit dhe zbatimin e saj e më shumë për investimet që do ti bëjë Serbia në Kosovë.
Sipas medieve serbe në Mitrovicë, përfaqësuesit serbë të Kosovës kanë biseduar me Vuçiqin për problemet me të cilat përballet qe 14 vjet. Vuçiq ka premtuar se Serbia do të ndajë mjete për ndërtimin e rrjetit rajonal të ujësjellësit, i cili do ti mbulonte katër komunat veriore, deponinë rajonale, ndërsa përkrah objekteve vitale, do fillojë ndërtimi i tri urave në komunën e Leposaviqit.
Planifikohet ndërtimi i tri urave në Jashanicë, por edhe ura në Leshak, e cila lidh qendrën me fshatrat përreth. Do të punohet në infrastrukturë, rrugë, rinovimi i fasadave të ndërtesave në Mitrovicë dhe shumëçka tjetër, ndërsa do të hapen edhe shumë vende të reja të punës në veri të Kosovës, u ka thënë medieve, shefi i kabinetit të nënkryetarit të qeverisë serbe, Zoran Millojeviq.
Sipas tij, në takim është bërë fjalë edhe për formimin e një ndërmarrjeje të re të madhe publike, e cila do ti mbikëqyrte të gjitha projektet, të cilat do të zbatohen në veri të Kosovës, e me qellim që të formohen vende të reja të punës dhe që populli në veri të Kosovës të fillojë të jetojë më mirë.
Ndërkaq, shefi i kabinetit të Vuçiqit, Zoran Millojeviq, thotë se në takimin me Vuçiqin është biseduar edhe për Trepçen, me të cilën Serbia para disa ditëve ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim dhe për liqenin e Ujmanit (Gazivodes), ndërsa përfaqësuesit serbë të Kosovës kanë përsëritur, sipas Millojeviqit, të njëjtin tregim:
Ne në këtë kemi tapi, e Prishtina nuk guxon të harrojë se një pjesë e minierës, e cila ndodhet në territorin e Leposaviqit, i përket Serbisë. Ai ka konfirmuar, se Aleksandër Vulin, i cili kohë më përpara kishte dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është kthyer në pozitën e drejtorit.